Site icon PrishtinaPress

Bllokohen lejet ndërtimore për ndërtuesit borxhlinj në Prishtinë

Që nga 12 shtatori disa nga ndërtesat në kryeqytet nuk do të mund të finalizohen.

Kjo pasi vendimi i fundit i kryetarit Përparim Rama thotë që të gjithë personat fizikë dhe juridikë që kanë obligime financiare të pakryera ndaj Komunës nuk do të pajisen me leje ndërtimi.

Këto borxhe, sipas zyrtarit në Drejtorinë e Urbanizmit, Shkëmb Manaj, datojnë që nga viti 2007.

Kurse vlera e tyre kap shifrën deri në gjashtë milionë euro.

“Sa iu përket borxheve të vjetra, arrijnë diku shifrën deri në 6 milionë euro të investitorëve të ndryshëm, personave fizikë dhe juridikë, të cilat i kemi trashëguar në një listë prej vitit 2007 e tutje dhe të cilat nuk janë brenda afateve që të dërgohet te përmbaruesi, atëherë Komuna ka vendosur që të nxjerrë një vendim që të gjithë personat fizikë dhe juridikë që kanë borxhe ndaj Komunës të mos pajisen me leje ndërtimorë, përveç atyre ndërtesave nuk do t’iu bëhet pranimi teknik dhe procesi i legalizimit. Kjo vlen për ata që kanë borxhe dhe që asnjëherë nuk i kanë kontestuar ato borxhe në gjykatë”, ka thënë Manaj.

Sipas Manajt, nëse borxhi vazhdon të mos paguhet, atëherë ato do të dërgohen te përmbaruesi.

“Këto borxhe janë të trashëguara që nga viti 2007 e tutje. Komisioni ka punuar në një afat prej 10 muajve dhe në bazë të këtij komisioni dhe punës që është bërë. Kryetari i Komunës ka nxjerrë dy vendime: i pari ka të bëjë me krijimin e një mekanizmi të ri që ka të bëjë me obligimet e reja financiare ndaj Komunës dhe në këtë pikë tash e tutje nuk besoj që do të kemi problem, sepse gjitha obligimet që janë ndaj Komunës e të cilat nuk janë kryer ende do të dërgohen te përmbaruesi”, ka deklaruar tutje ai.

Ky vendim vlen për ndërtimet e larta në kryeqytet, kurse për personat që janë në procedura gjyqësore do të pritet derisa gjykimi të përfundojë.

Po ashtu personat që i kanë borxhe Komunës do të mund ta paguajnë atë edhe me këste.

 

 

 

Exit mobile version