Site icon PrishtinaPress

Bllokimi i Rrugës A, Halimi: Akt i ulët, vendosi motra e Fitore Pacollit me urdhër të Qeverisë

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar pasi Gjykata Komerciale ka bllokuar punimet në Rrugën A në Prishtinë.

Halimi thotë se sabotimi i projektit më të madh të Prishtinës është goditje brutale ndaj interesit të qytetarëve.

Zyrtarja e LDK-së thotë se nënshkrimi nga motra e deputetes së VV-së me urdhër të Qeverisë është akt i ulët që vjen në vazhdën e sabotimit të punëve të mira që po bëhen në kryeqytet.

Reagimi i plotë:

Sabotimi i projektit më të madh të Kryeqytetit dhe gjithë shtetit tonë, është hiç më pak se goditje brutale kundër interesit qytetar. Me urdhër nga zyrat e Qeverisë, nënshkruar nga një instrument i pushtetit – nga motra e deputetes së mazhorancës përkatësisht – ky akt i ultë, vjen në vazhdën e sabotimit ndaj punëve të mira, të mbara e të shumta, që po bëhen në Kryeqytet.

Së pari tentuan t’ia marrin arbitrarisht buxhetin Prishtinës; pastaj vazhduan t’ia zvarrisin megaprojektin e ‘Unazës së Mesme’; ndërsa tani e radhës, ndërprerja e projektit madhor “Rruga A”. Jo vetëm që s’bëjnë një projekt të vetëm në 31 muaj qeverisje, por edhe bëhen pengesë dhe digë pritëse ndaj projekteve të të tjerëve.

Kjo është hera e parë që komentoj vendimet e gjykatave. Pra, ky është përjashtimi nga rregulli, në synimin tonë të përbashkët për të sjellë rregull dhe zhvillim në Prishtinën tonë.

Kosova meriton më mirë!

Republika, sikurse Kryeqyteti, mund të bëjë shumë më tepër!

Exit mobile version