Site icon PrishtinaPress

Bllokadat ndaj prodhuesve vendës, Kosova po pret përgjigje nga Bosnja

Bllokada ndaj eksportit kosovar në Bosnjë e Hercegovinë e ka alarmuar Qeverinë e Kosovës.

Përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, qeveria ka kërkuar zyrtarisht llogari nga shteti fqinj rreth bllokadës ndaj prodhuesve vendor. Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari është deklaruar të mërkurën për këtë çështje.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se qeveria, përmes Agjencisë së Ushqimit (AUV), ka kërkuar llogari nga Bosnjë e Hercegovina për bllokadat e vendosura ndaj eksporteve të Kosovës.

Kompania e njohur vendore, “VITA”, e cila merret me prodhimin e produkteve me bazë qumështin, është ankuar se prej disa javësh janë vendosur bllokada në eksportin e produkteve të saja në Bosnjë e Hercegovinë.

Bllokadat janë vendosur përmes barrierave jo-tarifore, ka thënë kompania në një komunikim me media në fund të muajit të kaluar.

Për bllokadat ndaj eksportit të Kosovës është vënë në dijeni edhe ministrja Rozeta Hajdari. Ajo, tha të mërkurën se është njoftuar nga Oda e Afarizmit dhe se autoritetet shtetërore janë në kontakt me autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës.

Kosova është ende në pritje të një përgjigjeje nga Bosnja, bëri të ditur ministrja në konferencën për media pas mbledhjes së kabinetit qeveritar në Prishtinë të mërkurën.

“Jemi njoftuar nga Oda e Afarizmit dhe konkretisht nga kompania dhe jemi në kontakt me Agjencinë e Ushqimit që është në kontakt me autoritetet e Bosnjes dhe urojmë sa më shpejt që t’i kthehet përgjigja zyrtare agjencisë së ushqimit për kërkesën e kompanisë VITA, sepse nuk është e drejtë ajo që po i ndodh kompanisë VITA”, tha Hajdari.

Ajo njoftoi gjithashtu se “VITA” nuk është kompania e vetme që ka probleme me eksportin e produkteve në Bosnjë e Hercegovinë.

“Por, ka edhe kompani të tjera që po sfidohen dhe ne po i adresojmë përmes institucioneve konkrete dhe në këtë rast VITA është me AUV-in”, tha Hajdari.

U raportua më 31 mars se Bosnja dhe Hercegovina ka bllokuar produktet e kompanisë “VITA”.

Menjëherë atë ditë, Paparaci iu është drejtuar me pyetje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Qeverisë së Kosovës dhe Odës Ekonomike të Kosovës për t’i pyetur nëse kanë informacione lidhur me këtë çështje, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet e mediumit.

Paparaci gjithashtu ka kërkuar përgjigje edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Odën Ekonomike në Bosnje dhe Hercegovinë, por nuk ka marrë përgjigje nga të njëjtit. Njëlloj ka ndodhur edhe me CEFTA-n, të cilët nuk kanë kthyer përgjigje.

Në fund të Marsit, kompania për prodhimin e produkteve të qumështit “VITA” kishte raportuar se është bllokuar importi i produkteve të tyre në Bosnje dhe Hercegovinë me anë të barrierave jo-tarifore dhe arsyet për këtë i kishin të paqarta.

“Kompania Vita si lider dhe themeluesi i industrisë së qumështit në Kosovën e pas luftës është duke u bllokuar me barriera jo tarifore të eksportoj produketet në territorin e Bosnjës dhe Hercegovines duke mos respektuar marrëveshjet regjionale të Tregtisë së Lirë dhe duke i shkaktuar dëme ekonomike direkte vendit tonë”, thuhej në komunikatë.

Kompania ka shprehur shqetësimin me procedurat burokratike që i kanë cilësuar diskriminuese për bllokimin e eksportit.

Këto veprime të Bosnjes dhe Hercegovinës janë në kundërshtim me parimet e CEFTA-s për tregti, ku edhe Bosnja ka nënshkruar dhe në kundërshtim me qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave si frymë e bashkëpunimit regjional.

“Vita” ka bërë tentime për të komunikuar me institucionet e Bosnjës në mënyrë që produktet e Kosovës të trajtohen njëlloj siç trajtohet importi i produkteve të Bosnjës në Kosovë, por thonë se janë injoruar.

“Ne kemi bërë tentime të vazhdueshme me institucionet e Bosnjës dhe Hercegovinës në mënyrë që të kemi trajtim të njëjtë siç kanë produket e importuara nga Bosnja në vendin tonë, siç është qumështi MIGI, Milko, Megle dhe shumë produkte të tjera ushqimore, mirëpo deri më tani vetëm jemi injoruar dhe bllokada vazhdon”, thotë komunikata.

Kompania “VITA” ka bërë apel tek institucionet relevante të Kosovës të marrin masa në mënyrë që të vendosin barazi në mënyrën e trajtimit të tregtisë midis dy shteteve.

“Prodhuesit vendorë janë duke bërë përpjekje jashtëzakonisht të mëdha në sigurimin e tregjeve dhe ngritjen e eksportit, bllokadat e tilla nga vendet e regjionit janë duke e dëmtuar vendin tonë si në të hyra tatimore ashtu edhe në sigurimin e një mirëqenie për qytetarët tanë. Shpresojmë që institucionet tona të marrin masa sa më shpejt që të aplikohen parimet e trajtimit të barabartë në Tregti të Lirë”, thuhej në komunikatë.

Pavarësisht kësaj dhe pavarësisht kërkesës për sqarime tek institucionet, autoritetet kosovare zgjodhën heshtjen për gati dy javë karshi kësaj çështjeje, derisa ministrja Hajdari “u zu ngushtë” në konferencë për media.

Sipas të dhënave të bilancit të tregtisë mes dy vendeve, Kosova importon përafërsisht 66 milionë euro nga Bosnja, ndërsa Bosnja vetëm 11 milionë nga Kosova.

Paparaci.com është në pritje të përgjigjeve nga institucionet relevante në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe po ashtu nga CEFTA si garantues i tregtisë së lirë në rajon./PrishtinaPress/

Exit mobile version