Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbajtur një konferencë të përbashkët për media me kryediplomaten gjermane, Annalena Baerbock.
Në fjalimin e Blinken zuri vend edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor për çështjen e sigurisë.
Ai përmendi Bosnjë Hercegovinën dhe presidentin e etnitetit Republika Srpska, për të cilin përgëzoi Gjermaninë që e goditi Dodikun, i cili është në listën e zezë të SHBA-së.
“Së fundi, mendoj se ia vlen të theksohet se folëm për sigurinë rajonale në Europë dhe veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne e vlerësojmë shumë udhëheqjen e Gjermanisë kur bëhet fjalë për kufizimin e disa prej flukseve financiare për Presidentin Dodik të Republikës Srpska, si për ribashkimin ashtu edhe për forcimin e programit ALTHEA të EUFOR-it. Dhe ne folëm për mënyrën sesi Bashkimi Europian mund të mbajë presionin ndaj aktorëve që po e vënë Bosnjën dhe Hercegovinën në rrezik të madh – veçanërisht zotin Dodik – duke përdorur të gjitha mjetet e nevojshme dhe duke rritur aftësitë e misionit të stabilitetit”, ka thënë ai.
Dodik është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, por jo të Bashkimit Europian./Express/