Edhe pse nuk fitoi medalje, Blin Kuka, u duartrokit gjatë nga të pranishmit për luftën që zhvilloi për medaljen e bronztë ndaj spanjollit, Ramirez Perez, në Festivali Olimpik Evropian për të Rinj Maribor 2023.
Xhudisti ynë u mund për shkak të tri dënimeve të marra nga gjyqtarët dhe atë vetëm në kohën kur lufta zhvillohej për shënim të artë.
Blini deri tek e bronzta erdhi pas dy luftërave të fituara në repesazh, kurse në raundin e parë ishte kualifikuar pa luftë, kategoria -90 kg.
Vendi i pestë është suksesi më i madh i ekipit tonë në Maribor 2023.
Nga ekipi ynë, sot në gara ishte edhe notarja Adea Hoxha, e cila garoi në 50 metra stil të lirë dhe arriti të përmirësojë rezultatin e saj, duke përfunduar me kohë, 29.47 sekonda, pozita 37.
Me Kukën e Hoxhën, kanë përfunduar të gjitha garat e ekipit tonë në EYOF Maribor 2023, ku rezultatet më të mira janë vendi i 5-të i arritur sot dhe vendi i 7-të me xhudisten, Laurina Gashi.