Profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi, është përfshirë në debatin mbi lejimin e bartjes së mbulesës së vajzave të mitura në Kosovë duke shkruar për një situatë hipotetike, sikur babai i Dua Lipës, Dukagjin Lipa pas luftës të kthehej në Kosovë me familje dhe i njëjti të shoqërohej me imam vehabist.
Latifi ka përmendur se në këso rastesh, Dukagjin Lipa, do të bindej që t’i rrisë fëmijët sipas sheriatit dhe vajza e saj Dua të mbulohej me shami.
“Paramendojeni situatën: pas luftës Dukagjin Lipa kthehet me gjithë familjen në Kosovë. Ditë prej ditësh ai fillon të shoqërohet me një imam vahabist. Imami dikur e bindë se fëmijët e tij duhet t’i rris sipas sheriatit. Vajzën me emrin Dua duhet ta mbulojë me shami. Kështu Dua e vogël rritet me edukatën se nuk ka se çfarë të pres nga jeta, përveçse të pres adoleshncën për t’u martuar me një burrë që do ja gjejnë të tjerët dhe të jetojë pastaj si prona private e tij, kryesisht duke u marrë me punët e shtëpisë. E dënuar në analfabetizëm, ajo nuk ja rrugë tjetër: edhe fëmijët e saj do t’i rris si analfabetë”, ka shkruar Latifi.
Ai ka thënë se shumë talente zhduken si pasojë e shtypjes së grave nga burra primitivë në emër të normave mesjetare.
“Paramendojeni të njëjtën situatë për Majlinda Kelmendin, Rita Orën, Nora Gjakovën, Distria Krasniqin, e sa e sa vajza të Kosovës që po e nderojnë Kosovën gjithandej botës. Sa e sa talenti zhduket si pasojë e shtypjes së grave nga burra primitivë, në emër të normave mesjetare, të shpikura nga burra të tjerë primitivë për të përligjur pushtetin e tyre mbi gratë. Një komb i cili lejon që gjysma e popullatës së tij të shtypet nga gjysma tjetër, e privon veten nga gjysma e potencialit të tij zhvillimor. Stop shtypjes religjioze të grave! Ky vend nuk ka derdhur gjak që liria e tij të jetë veç liri e burrave, por edhe e grave. Parasegjithash e grave”, ka shkruar ai.