Site icon PrishtinaPress

Blakaj pranon se ishte pjesë e keqpërdorimit të votave të diasporës

Dardan Blakaj ka pranuar sot se ishte pjesë e njërit prej mashtrimeve më interesante me votat e diasporës.

Blakaj akuzohej nga Prokuroria se nga një zyrë në Pejë, bashkë me disa të tjerë hapën emaile fiktive dhe aplikuan duke i keqpërdorur të dhënat e bashkatdhetarëve ga Austria.

Votat sipas Prokurorisë u mbushën në Pejë, u dërguan në Austri, nga ku më pas u dërguan me postë në Kosovë.

Sipas dosjes së Prokurorisë nga muaji janar e deri në muajin mars të vitit 2021, me dashje dhe në bashkëkryerje të pandehurit Dardan Blakaj, Kastriot Blakaj, Shpëtim Shala, Tahir Shala, Sylë Blakaj, kanë keqpërdorur të drejtën në votim duke votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetojnë në Austri.

Krejt këto veprime sipas dosjes janë kryer me qëllim të sigurimit të votave për të pandehurin Shkumbin Gashi, i cili ishte kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme parlamentare të mbajtura më datën 14 shkurt të vitit 2022.

Dosja e Prokurorisë thekson se të pandehurit fillimisht kishin siguruar letërnjoftimet e rreth 71 qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Austri dhe pa pëlqimin dhe dijeninë e tyre, në mënyrë të kundërligjshme i kanë keqpërdorur letërnjoftimet në procesin e votimit për votuesit nga diaspora.

Gjithnjë sipas aktakuzës të pandehurit Dardan Blakaj, Kastriot Blakaj, Tahir Shala dhe Sylë Blakaj, u mblodhën në një zyrë që dyshohet të ketë qenë nën menaxhimin e Kastriot Blakajt në Pejë, ku fillimisht aplikuan në KQZ për t`u regjistruar si votues nga Diaspora përmes email-adresave fiktive dhe pasi që pranojnë kodin nga KQZ, përmes atij kodi i shkarkojnë fletëvotimet nga sistemi online i KQZ-së e pastaj i plotësojnë duke votuar për pesë kandidatë.

Sipas Prokurorisë në mesin e këtyre pesë kandidatëve ishte edhe Shkumbin Gashi, i cili e mbante numrin votues 32.

Dosja tutje sqaron se një kopje të letërnjoftimit dhe fletëvotimit e vendosin në zarf dhe pasi që i plotësojnë 71 zarfe, të njëjtat i vendosin në një çantë e cila mbante emrin e të pandehurit Shpëtim Shala me vendbanim në Austri, e pastaj i akuzuari Kastritot Blakaj, e merr çantën me zarfe dhe më datën 02.02.2021 e dërgon tek stacioni i autobusëve në Pejë, e dorëzon çantën në një autobus të udhëtarëve që kishte destinacion Vjenën.

Prokuroria në aktakuzë sqaron se me të arritur çanta në Vjenë, e merr i pandehuri Shpëtim Shala dhe zarfet nga çanta i vendos në postën e Austrisë me destinacion KQZ-në Kosovë, ndërsa gjatë kontrollimit të ligjshëm nga ana e Prokurorisë në KQZ-së identifikohen dhe konfiskohen zarfet e lartcekura me fletëvotime të falsifikuara.

Kushtrim Gjevukaj në këtë rast nga prokuroria akuzohet për veprën penale të kanosjes, pasi që më datë 09.02.2021, në stacionin e autobusëve në Pejë me dashje ka kanosur të dëmtuarin A. A. (Shoferi i autobusit). Dosja sqaron se Gjevukaj në ditën e incidentit me veturën e tij e pret të dëmtuarin, e hap dritaren e veturës dhe i drejtohet me fjalët “Mu je ka më pret a, hajt se ta kallxoj unë qejfin”.

Pranimi i fajësisë nga Dardan Blakaj

Në seancën e sotme (24.04.2023), Dardan Blakaj e ka pranuar fajësinë. Ai për këtë ka arritur marrëveshje me Prokurorinë.

Marrëveshja parasheh që për veprën penale “Keqpërdorim i drejtës së votës” t’i shqiptohet dënimi prej 6 muajsh burgim dhe për veprën tjetër penale “Vjedhje e identitetit”, 6 muajsh burgim.

Gjykata vendosi që Dardan Blakajt t`i shqiptohet dënim unik me burgim prej 11 muajsh, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda 1 viti i pandehuri Blakaj nuk kryen vepër tjetër penale.

I pandehuri Blakaj para gjykatës deklaroi se pranimin e fajësisë e bën me vullnet të lirë dhe pa presion, si dhe i propozoi gjykatës ta aprovojë të njëjtën marrëveshje.

Për këtë rast janë të akuzuar edhe ish deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Shpetim Shala, Tahir Shala, Sylë Blakaj.

Exit mobile version