Site icon PrishtinaPress

Blakaj: Institucionet të alarmohen nga vdekja e dëshmitarit të masakrës së Izbicës

Sot u dha njoftimi se ka vdekur i mbijetuari i masakrës së Izbicës, Musafë Dragaj.

I ndjeri pati dëshmuar në Tribunalin e Hagës kundër kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq.

Vdekja e 86 vjeçarit, po konsiderohet si humbje e radhës në betejën e drejtësisë për zbardhjen e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, thotë se “ky rast duhet të shërbejë për ngritjen e vetëdijes së institucioneve se  është koha e fundit që të intervistohen dëshmitarët e krimeve të luftës”.

“Ne e kemi intervistuar Musafë Dragajn, ai është një ndër të rrallët e mbijetuar nga masakra e Izbicës. Megjithëse dëshmia e tij është dokumentuar në tribunalin e Hagës, por edhe nga organizatat joqeveritare si puna jonë, ky rast do të duhej t’i alarmonte institucionet tona”, vlerëson Blakaj.

“Ky është një rast që do të duhej të shërbente për ngritjen e vetëdijes së institucioneve që është koha e fundit për intervistimin e dëshmitarëve dhe kjo punë duhet të bëhet me urgjencë sepse me kalimin e kohës mund t’i humbim edhe këto dëshmi jashtëzakonisht të rëndësishme”.

Blakaj e ka cilësuar si lajm të mirë njoftimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, për themelimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

Njësoj mendon edhe profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu.

Ky në një intervistë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova,  dy ditë më parë kritikoi qeveritë për vonesa në këtë drejtim.

“Tani qeveria e tanishme paksa është vonuar, por unë uroj që ky projektligj sa ma shpejt të hyjnë në fuqi dhe të fillojë puna në hulumtimin e krimeve të luftës për shkak se koha po e bën të veten, dëshmitarët po ndërrojnë jetë, gjurmët po zbehen kështu që duhet që urgjentisht të fillojë puna e këtij instituti”, tha Salihu.

Exit mobile version