Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), të martën ka lansuar një aplikacion që mërgimtarëve u mundëson nxjerrjen e një certifikate për numrin e veturave që i ka pasur në dispozicion, ka bërë të ditur drejtori i këtij institucioni, Sami Mazreku.
Mazreku ka thënë për EO, se për të marrë këtë certifikatë, mërgimtarët është dashur të dërgojnë imellë në 10 kompani të sigurimeve dhe në BKS dhe se u ndihmon që në vendet evropiane të paguajnë më pak sigurim dhe të figurojnë si shoferë me përvojë.
Aplikacioni do të jetë me pagesë dhe se i njëjti mund të shkarkohet në IOS dhe Android.
“Sot jemi gati, po e lansojmë për herë të parë certifikatën e të siguruarit, e cila merret në websajtin e BKS-së, në aplikacionin IOS dhe Android. Çka është qëllimi i kësaj certifikate. Çdo person i cili që nga viti 2004 për arsye se në atë kohë kanë filluar aplikacione që akumulojnë të dhëna, ka pasur vetura në emrin e tij, tash e ka shumë lehtë që brenda një minute duke e shkarkuar aplikacionin e BKS-së me marr atë certifikatë, ku në atë certifikatë listohen të gjitha veturat që kanë në emrin e tij. Nëse ju, keni pas shtatë vetura dhe nuk e dini në cilën kompani keni qenë, cilën kohë e sa keni paguar sigurim dhe të duhen për një arsye të ndryshme, atëherë mundeni me marr në kohë reale tek ne”, u shpreh Mazreku.
“Përpara kjo certifikatë është marrë përmes imalleve në dhjetë kompani të sigurimeve dhe në BKS, tash e kemi bërë me një aplikacion të vetëm dhe i lehtëson shumë procedurat e sidomos për bashkatdhetarët”, u shpreh Mazreku, teksa tregoi edhe specifikat që kërkojnë bashkatdhetarët më shumë këtë certifikatë.
“Kemi shpesh kërkesa kur një person në diasporë blen për herë të parë një veturë në Evropë dhe normal që atje ka rregulla për shoferët fillestarë dhe normalisht që sigurimi është shumë më i shtrenjte, mirëpo atyre u jepet arsye që në vendin e origjinës me marr një vërtetim se a ke pas vetura në emrin tuaj, a keni qenë të siguruar, a keni pas aksidente dhe me atë vërtetim që ne e lëshojmë, ata e përdorin dhe automatikisht një shumë e sigurimit lirohet. Pra nuk merren si shoferë pa përvojë apo si fillestarë mirëpo me përvojë duke e përdorur një dokument tonin. Ky aplikacion që po lansohet, prioritet i ka bashkatdhetarët, tashmë nuk kanë nevojë me dërgu imella në 10 kompani e në BKS, mirëpo e përdorin këtë aplikacion”.
E për përdorimin e këtij aplikacioni, detaje dha shefi i projektit, Astrit Veseli. Ai e demonstroi përdorimin e këtij aplikacioni.