10.2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Bizneset joformale nuk do të ndihmohen nga shteti

Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve në Kosovë për të luftuar ekonominë informale, biznese të shumta në Kosovë kanë vazhduar aktivitetin e tyre ekonomik në këtë formë duke i ikur obligimeve tatimore që kanë ndaj shtetit.

Sipas raporteve të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë ekonomia joformale në Kosovë, përbën më shumë se 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.

Këto biznese joformale si shumë aktivitete tjera ekonomike u detyruan të mbyllin dyert pas masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Mbyllja e detyrueshme ju shkaktoi humbje financiare dhe pa të ardhura mbeten shumë të punësuar në këto biznese.

Raporti i fundit i Bankës Botërore për ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor ku hyn edhe Kosova vë në pah se janë këto biznese apo aktivitete joformale që do të jenë më të cenueshme nga kriza ekonomike financiare, që do të shkaktojë pandemia COVID-19, por edhe është më vështirë të mbështeten nëpërmjet masave konvencionale.

D.M. emër i njohur për redaksinë, është pronar i një lokali në Malishevë.

Në vitin 2008 ishte kthyer nga Gjermania dhe kishte hapur një restorant, ku siç thotë ai, kishte punuar për vite të tëra si biznes formal, por, që viteve të fundit i është shmangur obligimeve tatimore të shtetit.

“Erdhëm me familje dhe e hapëm këtë biznes ku kam të punësuar gjashtë punëtorë. Nuk ja dolëm të punojmë ashtu si duhet (si biznes formal) dhe tani dy vite po punojmë si shumë të tjerë që punojnë këtu në Malishevë. Nuk jemi të regjistruar si biznes nëse shkoj aty (Administrata Tatimore e Kosovës) të lajmërohem ata e dinë se unë lokalin e kam pasur dhe kam punuar si kam punuar (në të zezë). Ata nuk të marrin parasysh, për atë edhe nuk kam tentuar të kërkoj ndihmë”, thotë ai.

Sipas raportit të Bankës Botërore mbështetje plotësuese e përshtatur enkas me kontekstin vendor mund të jetë e nevojshme për të ndihmuar të gjitha grupet e cenuara në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht përpjekjeve të institucioneve për të luftuar ekonominë joformale, nuk është arritur të bëhet mjaftueshëm.

Për vite, shton Zeka këto biznese kanë krijuar konkurrencë të pabarabartë në treg, por tani do të jenë ato të cilat do të goditen më së shumti nga kriza, pasi që nuk do të mund të marrin ndihmën që do të ofrohet nga shteti apo edhe mekanizmat tjerë.

“Pandemia do të ndikojë që një numër i madh i ndërmarrjeve të mos mund të mbijetojnë për shkak të kufizimit të aktivitetit ekonomik për shkak të rënies së të hyrave në përgjithësi dhe në këtë aspekt ndërmarrjet që i takojnë kësaj janë ekonomi joformale, ato do të jenë më të goditura. Rrjedhimisht edhe roli i shtetit dhe atyre që do të ndihmojnë në këtë aspekt është i kufizuar pasi që do të nënkuptohej si mbështetje për ata që për vite me radhë kanë operuar në kundërshtim me dispozitat ligjore”, thotë Zeka.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka filluar të zbatojë pakon emergjente fiskale e cila kap vlerën prej rreth 180 milionë euro. Me një pjesë të këtyre mjeteve qeveria ka paraparë të ndihmojë bizneset.

Në përgatitje është edhe pakoja e dytë fiskale e cila do të ketë në fokus rimëkëmbjen ekonomike. Kjo pako, sipas ministrit të Financave dhe Transfereve në Kosovë Besnik Bislimi do të ketë vlerën rreth një miliard euro.

Por, thotë drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, thotë se asnjë biznes joformal nuk do të përfitojë nga pakoja emergjente e as nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike.

“Asnjë biznes dhe asnjë i punësuar joformal nuk mund të përfitojë nga pakot emergjente apo edhe pakot tjera të ekonomisë për shkak se nuk ka as bazë juridike të përfitojë”, thotë Murtezaj për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se biznesi joformal ka dy anë: nëse një biznes informal falimenton atëherë shuhen vende pune, por nëse është në treg krijon konkurrencë të pabarabartë.

Ekonomia joformale si nga problemet më të mëdha në ekonominë e Kosovës ishte theksuar edhe në paketën vjetore të zgjerimit të Komisionit Evropian, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Murtezaj shton se të dhënat për ekonominë joformale që flasin për një shifër për mbi 30 për qind janë të vitit 2017 dhe se matje të përditësuar të kësaj ekonomia nuk ka viteve të fundit, pasi që siç thotë ai, ka pasur rënie të ekonomisë joformale, pasi që është shënuar edhe rritje e të hyrave tatimore.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave Besnik Bislimi, tha për Radion Evropa e Lirë se bizneset joformale janë ndihmuar vetëm në rastin e punëtorëve.

“Ju kemi thënë bizneseve që të shfrytëzojnë këtë periudhë dhe të kuptojnë rëndësinë e formalizmit dhe brenda masës 14 të pakos emergjente fiskale i kemi ofruar që të regjistrojnë punëtorët dhe këtu kemi pasur 8 mijë aplikime”, thotë Bislimi, duke shtuar se kjo masë ka ndihmuar në formalizmin e ekonomisë në Kosovë.

Përmes pakos emergjente fiskale, qeveria ka mundësuar që punëtorët të cilët kanë punuar të paregjistruar nga punëdhënësi të nënshkruajnë marrëveshje me punëdhënësin së paku një vit, në mënyrë që të përfitojnë nga 130 euro për muajt prill dhe maj.

Mundësia për rimëkëmbje e vështirë

Pronari i biznesit nga Malisheva i cili nuk do të ndihmohet të rimëkëmbet nga shteti thotë të ketë bërë një plan se si do të rifillojë punën pas pandemisë.

“Të punësuarit që kam pezulluar nga puna do t’i kthejë në punë, ata mbajnë familjen me këto të ardhura që marrin nga puna e tyre këtu. Lokali është 300 metra katror, por e kam një tarracë 500 metra dhe unë e kam një shpresë që terraca do ta na shpëtojë biznesin, pasi që nëse hapen lokalet do të kërkohet distanca fizike dhe unë këtë do të mund ta krijojë”.

“Por, nëse nuk hapet deri më 1 qershor që të shikoj se a po mundem të fitoj ritmin e punës që e kam pasur a po mundem që të bëjë pazar sa për të mbijetuar nëse nuk shkon mirë biznesi e kam planin B të shkoj në Gjermani”, thotë ai.

Aktivitete ekonomike që hynë në sektorin e gastronomisë hyjnë në fazën e tretë të lehtësimit të masave kufizuese, që sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës hynë në fuqi më 2 qershor.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të publikuar së voni, ka paralajmëruar se situata më shqetësuese pritet të jetë në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim, ku bën pjesë edhe Kosova.

Banka Botërore në raportin e saj të fundit të publikuar më 29 mars parasheh një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë nëse masat kufizuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img