Home Baner Bixhoz i paligjshëm dhe armë pa leje, tre të arrestuar në Pejë

Bixhoz i paligjshëm dhe armë pa leje, tre të arrestuar në Pejë

Tre persona janë arrestuar në fshatin Rashiq të Pejës, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është zbuluar pas pranimit të informacioneve se në një lokal në këtë fshat po zhvilloheshin lojëra të fatit në mënyrë të kundërligjshme.

Më 8 gusht 2026, Sektori Rajonal për Hetime në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, me asistimin e Njësisë për Reagim të Shpejtë dhe me autorizim përkatës ligjor, ka realizuar kontroll dhe bastisje në lokalin e dyshuar.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar si prova materiale:

një kuti me çipa për organizimin e lojërave të pokerit;

një armë automatike AK-47; një karikator; 10 fishekë; një mjet të mprehtë – brisk.

Tre personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë intervistuar nga hetuesit policorë.

Pas përfundimit të procedurave fillestare hetimore, me vendim të organit kompetent, dy nga të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa një tjetër është liruar dhe rasti ndaj tij do të procedohet në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka thënë se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, ndërsa ka ftuar qytetarët që të raportojnë rastet e dyshuara tek organet kompetente.

Exit mobile version