Site icon PrishtinaPress

Bislimi tregon se kur pritet të ndodhë votimi i radhës për vizat

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën nuk ka pasur kurrfarë ndërlidhje me procesin e dialogut.

Duke raportuar në Komisionin për Integrim Evropian, Bislimi tutje tha se kushdo që mendon kështu, e ka gabim.

“Procesi i liberalizimit të vizave është lidhur me futjen në zbatim të sistemit të ETIAS që është sistem i regjistrimit të udhëtimeve nga vendet të cilat kanë regjim të udhëtimit pa viza drejt vendeve që janë anëtare të shëngenit. Propozimi i BE-së i grupit punues ka qenë që kosovarët të udhëtojnë pa viza që nga dita e parë kur fillon të zbatohet ETIAS, por meqë ka pasur pasiguri se a do të mund të zbatohet ETIAS nga data 1 nëntor është kërkuar futja e një date tjetër në rast se BE-ja vonohet me ETIAS, atëherë qytetarët është paraparë të lëvizin që nga data 1 dhjetor të vitit të ardhshëm. Ka pasur ndërhyrje të Spanjës që ka kërkuar që 1 dhjetor të zhvendoset më 1 janar në mënyrë që udhëtimi pa viza të mos ndodhë gjatë presidencës spanjolle”.

Bislimi shtoi se shtyrja e diskutimit të liberalizimit të vizave për Kosovën javën e kaluar, është bërë me qëllim të mirë për vendin tonë.

“Teksti sot vendoset në votim jo në diskutim, votohet si pika A e agjendës që nuk diskutohet fare, por votohet, nëse s’është votuar ende, pritet sot rreth orës 4 e gjysmë, kjo pastaj e hap rrugën për votim në Këshill me datë 9 ose 10 dhjetor. S’ka pasur kurrfarë ndërlidhje me procesin e dialogut, arsyeja pse nuk është diskutuar javën e kaluar por këtë javë, ka të bëjë me brengën e disa vendeve që mbase ndonjë vend skeptik mund ta keqpërdor situatën me targa për të dhënë diskutime negative, vendimi për shtyrje ka qenë me qëllim të mirë për Kosovën”, tha ai.

Exit mobile version