Vizita e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, në Poloni vijoi me takimin e përbashkët me deputetë të Parlamentit të Polonisë, anëtarë të grupit parlamentar Poloni-Ballkan.
Pjesëmarrës ishin kryesuesi i këtij grupi parlamentar Tomasz Glogowski, zëvendëskryesuesi Szymon Szynkowski Vel Sek, dhe anëtari Krzysztof Sobolewski.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se Bislimi i falënderoi ata për mikpritjen dhe shprehu vullnetin e gatishmërinë e qeverisë për thellim të marrëdhënieve me Poloninë, siç thuhet, veçanërisht në rrafshin ekonomik dhe zgjerimin e potencialit të bashkëpunimit dhe investimeve.
Bislimi ka përmendur dhe rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit në fusha si shkëmbimi tregtar, siguria e mbrojtja dhe kultura dhe thuhet se më tej shtoi edhe synimet e Kosovës në lidhje me anëtarësimin në BE, NATO dhe Këshill të Evropës, si objektiva të rëndësishme dhe kontribuese në avancimin e zhvillimin e vendit.
“Veçanërisht në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, theksoi aplikimin e Kosovës të dhjetorit të vitit 2022 dhe nevojën për hapa të rëndësishëm përpara, me pranimin e pyetësorit, vlerësimin në baza meritokracie, dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, për çka institucionet tona qëndrojnë në gatishmëri të plotë për përmbushjen e afateve dhe standardeve të vendosura nga Bashkimi Evropian”.
“Ndërkohë, deputetët polakë shfaqen perspektivën për marrëdhënie më të fuqishme me Kosovën. Kryesuesi i Grupit Parlamentar Poloni-Ballkan, Tomasz Glogowski, shprehu rëndësinë e partneritetit mes Kosovës dhe Polonisë, ndërsa nënkryetari Szymon Szynkowski Vel Sek, teksa rikujtoi vizitën e tij në Kosovë në vitin 2022 dhe takimin me zëvendëskryeministrin Bislimi, theksoi sesa kanë avancuar vitet e fundit marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe rrugën përpara në thellimin e tyre”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.