Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e ri jorezident të Danimarkës për Kosovë, Christian Grønbech-Jensen, të cilin e uroi për pozitën e re në këtë takim të parë zyrtar mes tyre dhe i dëshiroi vizitë të frytshme e mirëseardhje në Kosovë.
Në takim u riafirmua vazhdimësia në konsolidimin e marrëdhënieve të fuqishme të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ambasadori Grønbech-Jensen shprehu mbështetjen e Danimarkës ndaj aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe po ashtu e përshëndeti aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se Kosova i përket familjes evropiane.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha se na pret një vit i rëndësishëm përpara, në të cilin do të vijojë përkushtimi i plotë i Kosovës në proceset e integrimit evropian, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe detyrimeve që rrjedhin nga agjenda evropiane. Sundimi i ligjit dhe transparenca e institucioneve, janë gjithashtu në fokus përgjatë këtij viti.
‘’Tek Kosova, Danimarka gjen një partnere të besueshme, e cila ka bashkërenduar politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian dhe mban të njëjtin qëndrim ndaj agresionit rus në Ukrainë.’’ tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Me këtë rast, Ambasadori Grønbech-Jensen përmendi e vlerësoi lartësisht dhe angazhimin e Kosovës në mikpritjen dhe strehimin e qytetarëve afganë si dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Në përfundim të takimit, u ritheksua përkushtimi në thellimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë, veçanërisht energjisë së gjelbër e të ripërtëritshme, po ashtu dhe në fushën e drejtësisë e bashkëpunimit ekonomik.