Site icon PrishtinaPress

Bislimi: S’lejojmë Asociacion me kompetenca ekzekutive, e ka të qartë edhe Vuçiq

Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për RTK-në, ka thënë se për asociacionin nuk negociojnë dhe se janë pajtuar me palën ndërkombëtare që nuk mund të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.

Ai po ashtu ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka të qartë se nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Harmoni në mes të qëndrimeve të BE dhe Kosovës që Kosova nuk mund të krijojë asnjë Asociacion me kompetenca ekzekutive. Mendoj se është e qartë edhe për zotëri Vuçiq”, tha ai.

Ai po ashtu i dha një interpretim nenit 2 të planit franko-gjerman, ku sipas tij, çfarëdo organi që themelohet nuk mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Kjo është pika e 2 që ka një dakordim që çfarëdo trupe themeluese nuk mund të jetë në kundërshtim me pjesën ligjore të kornizës së Kosovës”, tha ai.

Më 27 shkurt në Bruksel u arrit marrëveshja për planin franko-gjerman në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën të hënën në Bruksel udhëheqësit e këtyre dy vendeve.

Në deklaratën e lëshuar pas takimit, Borrell tha se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave”, tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars.

Exit mobile version