Site icon PrishtinaPress

Bislimi publikon letrën që i kishte shkruar Blinkenit për Vulinin: Krenar që u dëgjua edhe një zë nga Kosova

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe veprimtari shqiptar në SHBA, Faton Bislimi ka thënë se për Vulinin dhe rolin e tij në destabilizmin e Ballkanit i kishte shkruar Sekretarit Blinken qysh në maj të vitit 2022.

Ai thotë se ndjehet krenar që u dëgjua edhe një zë nga Kosova, me rastin e futjes së zyrtarit serb në listën e zezë amerikane.

“Kanë kaluar pak më shumë se një vit nga data 6 Maj 2022 kur i kisha dërguar letër Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, z. Antony Blinken, përmes së cilës kisha kërkuar që Aleksandar Vulin të futej në ‘listën e zezë,’ duke argumentuar me fakte se ai ishte person që kjartazi i plotësonte kushtet e seksionit 1(a) të Urdhërit Ekzekutiv Presidencial 10433 të nënshkruar nga Presidenti Biden më 8 Qershor 2021, për Bllokimin e Pasurisë dhe Ndalimin e Hyrjes në SHBA të Personave që i Kontribuojnë Destabilizimit të Situatës në Ballkanin Perëndimor”, ka njoftuar Bislimi.

Ai thotë se me 12 Maj 2022, ka  pranuar përgjigje nga zyra e Sekretarit Blinken për letrën time.

“Në letrën time argumentuese për futjen e Vulinit në listën e zezë të SHBA-ve, ndër të tjera, kisha potencuar se “regjimi i Vuçiqit në Serbi është thuajase kopje e atij të Milosheviqit, pos që ky i tanishmi është më pak i ekspozuar dhe më i sofistikuar ngase vepron nën vellon e demokracisë.”

Bislimi thotë se ka elaboruar se si Vulin është adhurues i zjarrtë i Milosheviqit dhe vazhdon të përpiqet të jetësojë idetë e tij përfshirë atë të “botës serbe,” duke mohuar në vazhdimësi krimet paraprake e duke glorifikuar “kasapin e Ballkanit.”

“Urrejtja e Vulinit për shqiptarët nuk ka fund, anipse koha e luftrave brutale të Milosheviqit në Ballkan ka përfunduar me intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999. Në fund të vitit 2020, Vulin kishte institucionalizuar termin denigrues “shiptari” si Minister i Mbrojtjes, term ky që shpërfaqë ndjenjen serbe se shqiptarët janë popull inferior dhe të prapambetur,” thuhet në letër.

“Qeveria e Serbisë nën Vuçiqin gjithherë veç ka pretenduar të jetë në linjë me interesat Evropiane dhe Amerikane. Realisht, Serbia historikisht ka qenë dhe mbetet lojale ndaj Rusisë,” ka shkruar tutje në letër Bislimi.

Vulin ishte dhe mbetet zyrtar i korruptuar,, gjë të cilën po ashtu e kam potencuar në letrën time.

“Nën driten e këtyre argumenteve dhe fakteve,” si dhe bazuar në “veprimet dhe fjalët e Vulinit, shihet kjartazi se ai përfaqëson një kërcënim serioz për destabilizimin e rajonit dhe kundër vlerave Evropiane dhe Amerikane të cilat disa nga vendet tjera në rajon, siç është Kosova, i përqafojnë pa hezitim,” kishte përfunduar letrën Bislimi duke specifikuar kriteret që Vulin përmbushte për t’u futur në listen e zezë të SHBA-ve.

“Përjetësisht mirënjohës SHBA-ve për vendosshmërinë e tyre për të sjellë paqe e prosperitet në Ballkan, e veçanërisht për të ruajtur e përkrahur Republikën e Kosovës, si projektin më të suksesshëm të shtetndërtimit nën ombrellën e SHBA-ve”, ka shkruar tutje Faton Bislimi.

Exit mobile version