Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi e ka quajtur artificiale dhe të ngritur nga Serbia idenë për arkiva të UÇK-së. I dyti në ekzekutivin Kurti, e konsideron vendimtare hapjen e arkivave serbe për gjetjen e personave të zhdukur me forcë, ani pse nuk e përjashton mundësinë që shteti fqinj t’i ketë shkatërruar gjitha të dhënat dhe informacionet për varrezat masive.
Duke raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Bislimi bëri të ditur se gjatë kësaj jave mund të vijnë në Kosovë shtatë trupat e identifikuar pas gërmimeve në Kizhevak të Serbisë.
“Procesi i të pagjeturve një kohë të gjatë është udhëhequr nga UNMIKU dhe EULEX, ata kanë pasur qasje të plotë në këto arkiva. Ka raste që hetuesit e tyre për 24 orë nuk kanë dal nga arkivat dhe kanë larguar të gjitha punonjësit. S’ka dokument që nuk është shoshitur nga ndërkombëtarët dhe me sa di unë nuk ka asnjë dokument të klasifikuara si sekrete. Në anën tonë nuk ka asgjë që mund të dërgonte në informata për persona të zhdukur. Mendoj që kërkesa e Serbisë që të hapen paralelisht këto dyja ka qenë për të krijuar një barazi. Të thotë ne kemi bërë krime po i fshehim, por edhe ju po i fshihni krimet e juaja. E kemi pa si shumë të rëndësishme që ky argument të hiqet palës serbe. Të thuhet se në njërën anë nuk ka asgjë dhe të thuhet se të vetmet arkiva që duhen të hapen janë arkivat shtetërore të Serbisë. Po e përsëris në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk është folur dhe dakorduar për arkivat e UÇK-së, për të cilat nuk ka asnjë evidencë që eksitojnë… Ideja e Serbisë të thuhet se dy apelit po fshehin dhe meqenëse pala kosovare nuk po i hap nuk po i hapin edhe ne. Është dashur ta thyejmë këtë mit dhe të themi se ka vetëm një palë që fsheh informata, pala tjetër i ka të gjitha arkivat e hapura. Ideja për arkiva të UÇK-së në Kosovë është ide artificiale e ngritur nga Serbia për të justifikuar mbajtjen e informacioneve sekret të tyre”, theksoi ai.
Megjithatë, Bislimi shpreson se me hapjen e arkivave shtetërore të Serbisë do të gjenden informatat që saktësojnë vendndodhjen e varrezave masive.