Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka njoftuar emisarin special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me bllokimin e qindra kosovarëve në kufirin Kroaci-Serbi.
Përmes disa postimeve në platformën “X”, Bislimi thotë se kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE-së.
Bislimi poashtu thotë se një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme serbe të agresionit.
Progresi i Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe demokracia e pastër, kulmuan me avancimin e djeshëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ky lajm i mrekullueshëm, fatkeqësisht ndezi gjuhën e urrejtjes nga politikanët serbë, por edhe veprime të drejtpërdrejta kundër qytetarëve tanë. Qindra prej tyre, gra e fëmijë, tashmë prej më shumë se 13 orësh, mbahen peng nga pala serbe, në kufirin me Kroacinë. Qytetarët tanë po merren në pyetje, u janë konfiskuar dokumentet personale dhe kanë mbetur pa ushqime dhe pa ilaçe”, shkruan Bislimi.
“Për situatën e kam njoftuar edhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE. Një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të tyre të agresionit. Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po i pastrojnë etnikisht shqiptarët me mjete administrative në Luginën e Preshevës, i bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe politikani opozitar Nikola Sanduloviq rrihet dhe ndiqet penalisht për shprehjen e pikëpamjeve të veta. Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të tërhiqemi kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë në KiE as BE”, ka shkruar më tej Bislimi.