Site icon PrishtinaPress

Bislimi: Kosovës t’i hiqen masat e BE-së dhe t’i jepet statusi i vendit kandidat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen masat ndëshkuese nga BE-ja dhe duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat.

“Duhet të largohen masat ndaj Kosovës. Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat dhe të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, tha Bislimi.

Në takimin e 11-të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, ai theksoi se Kosova i është bashkuar vendeve që kanë vënë sanksione ndaj Rusisë.

“I jemi bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Kemi qenë të angazhuar edhe në planin e rritjes të Komisionit Evropian. Progresi demokratik nënkupton anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Nuk ka asnjë problem teknik që Kosovës t’i dërgohet pyetësori. Mosnjohja nga pesë shtetet nuk ka qenë problem për vendimin për vizat. Institucionet do të jenë të gatshme t’i përgjigjen këtij pyetësori. Çdo vend demokratik brenda BE e di se Kosova është një ndër vendet më demokratike në rajon” tha Bislimi.

Sipas tij, përgjigjja e BE-së dhe e NATO-s ndaj kërcënimeve që i janë bërë Kosovës, ka qenë shumë e qartë.

“Përgjigjja e BE-së dhe NATO-s në rajonin lindor të Evropës ka qenë shumë e qartë, kështu duhet të trajtohet edhe kërcënimi i sigurisë për Ballkanin Perëndimor”, theksoi numri dy i qeverisë.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, shtoi se Kosova i vlerëson rezolutat dhe thirrjet e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Exit mobile version