Site icon PrishtinaPress

Bislimi kërkon me urgjencë zbatimin e Udhërrëfyesit për energjinë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se zbatimi i udhërrëfyesit për Marrëveshjen për energjinë është çështje urgjente.

Në Twitter ai ka shkruar se mospagesa nxit veprimtaritë kriminale në kosto të taksapaguesve dhe mjedisit.

“Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet. Ne presim dhe kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër”, ka thënë Bislmi.

Kosova dhe Serbia më 21 qershor kanë nënshkruar udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Qytetarët e këtyre komunave që nga viti 1999 nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Exit mobile version