Site icon PrishtinaPress

Bislimi: Kërkesa e KQZ-së për paga dhe mëditje shtesë është skandaloze – zgjedhjet janë për kryetar të Podujevës, jo për të pasuruar komisionerët

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur sot, e ka cilësuar si skandaloze kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të ndarë nga buxheti i shtetit rreth 116 mijë euro për paga dhe mëditje të komisionerëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë.

Bislimi kërkoi nga Qeveria që ta miratojë vetëm një pjesë të kërkesës, atë për mallra dhe shërbime, ndërsa të mos ndahet buxhet për paga dhe mëditje shtesë për anëtarët e KQZ-së të cilët do të jenë pjesë e këtyre zgjedhjeve.

“Një kërkesë që na ka ardhë nga Komisioni Qendror Zgjedhor, na ka ardhë më 14 shkurt, të premten, dhe e kemi pasur të pamundur që të trajtojmë me prioritet. Ka të bëjë me zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë. Duhet cekur se kërkesa e përgjithshme e KQZ-së bashkë me PZAP-in mbërrin shifrën e 510 mijë eurove, prej të cilave kërkesa për mallra dhe shërbime është në vlerë prej 394 mijë  e 447 euro, ndërsa vlera e përbashkët që përfshijnë pagat dhe mëditjet janë 116 mijë euro. Ne si ministri jemi skandalizu, me formulimin e kërkesës. Kërkesa është për 60 për qind të mëditjeve shtesë. Jo vetëm që është kërkesë e paligjshme, por e pakuptueshme për nivelin e angazhimit që ka”, u shpreh Bislimi.

Ai tha gjithashtu se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë për të zgjedhur kryetarin e Podujevës, e jo për të pasuruar anëtarët e KQZ-së.

“Jam i qartë që KQZ-ja është institucion autonom, por duhet të përdoret për forcimin e institucionit, jo me zhvat. Mëditjet shtesë kërkohen për tre muaj, deri në mes të marsit. Zgjedhjet në Podujevë janë duke u mbajt për me zgjedh kryetarin e Podujevës, e jo për të pasuruar anëtarët e KQZ-së. Është skandaloze kërkesa për me iu nda mëditje për tre muaj, kur vetëm një ditë do të mbahen zgjedhjet dhe një ditë balotazhi”, tha Bislimi në mbledhjen e Qeverisë.

E një kërkesë e tillë u kundërshtua nga zëvendësministri, Avdullah Hoti.

Hoti tha se KQZ-ja është institucion i pavarur, dhe Qeveria duhet të ofrojë të gjitha resurset e veta për të mundësuar që ata ta kryejnë detyrën e tyre gjatë zgjedhjeve.

“E dëgjova me kujdes ministrin e Financave. Kujdesin për paratë publike nga ana juaj nuk e vë në dyshim. Tash ju e keni përgjegjësinë të veproni si agjent fiskal, që shpenzimi i çdo euroje të bëhet në përputhje me rregulloren, meqë KQZ-ja është e pavarur nga Qeveria dhe ne duhet të ofrojmë të gjitha resurset, që ata ta kryejnë punën e tyre siç duhet. Ju keni për detyrë që të kujdeseni që çdo cent të shpenzohet në përputhje me rregulloren. Jam ta mbështesim kërkesën e KQZ-së”, u shpreh Hoti.

Gjatë votimit në miratimin e këtij vendimi abstenuan zëvendëskryeministri, Avdullah Hoti, si dhe katër ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës: Agim Veliu, Vlora Dumoshi, Anton Çuni dhe Besian Mustafa.

Exit mobile version