Site icon PrishtinaPress

Bislimi: Ka brengë se Serbia mund ta destabilizojë situatën, serbët nisën t’i merrnin targat RKS dhe u ndalën përnjëherë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se janë të brengosur se Serbia mund ta destabilizojë situatën, pas djegies së disa veturave ditët e fundit në veri.

Duke raportuar në Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme, Bislimi tha se kjo vjen pasi ditët e fundit shumë serbë po i zëvendësonin targat e veturave me ato të Kosovës.

“Ekziston në brengë që ka potencial nga ana e Serbisë që ta destabilizojë situatën, gjithmonë duke keqpërdorur temën e targave. Ju e keni parë javën e kaluar aktivitetin e shtuar të strukturave ilegale dhe kriminale në veri në djegien e veturave të qytetarëve serbë”, tha Bislimi.

“Muaji mars ka qenë muaj i shtimit të gatishmërisë së qytetarëve për t’i konvertuar targat. Brenda pak ditëve janë regjistruar afërsisht një e dhjeta e veturave të cilat nuk kanë qenë të konvertuara ende dhe me atë ritëm shumë shpejt do të kishim mundur t’i konvertojmë shumicën absolute të targave ilegale në Kosovë. Situata ka ndryshuar në prag të takimit në Bruksel”, shtoi ai.

Pas djegies së disa veturave, Bislimi tha se “vullneti i qytetarëve është ndrydhur” dhe se ata “kanë pushuar së regjistruari” veturat në RKS.

“Ka pasur rënie të gatishmërisë nga 137 vetura të regjistruara në ditë në 0 vetura më datën 3 prill”, tha Bislimi, duke theksuar se “serbët janë nën trysni të madhe”./prishtinapress.net/

Exit mobile version