Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet që sot të në Bruksel me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në kuadër të rundit të ri të dialogut.
Ishte Lajçak, ai i cili njoftoi se në takimin paraprak temë diskutimi ishte edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesa me para të gatshme.
E për këtë pritet të vazhdojnë diskutimet edhe nesër.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që javët e ardhshme Kosova dhe Serbia të arrijnë pajtim rreth çështjes së dinarit, derisa palët u patën zotuar t’i dërgojnë propozimet në aftin që ishte deri të premten e javës së kaluar.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Bislimi ka insistuar se në Bruksel nuk është diskutuar as kontestuar Rregullorja e BQK-së, por ai thotë se janë diskutuar modalitetet se si kjo mund të arrihet brenda kësaj rregullore.
Sipas tij, ata u dakorduan që të dorëzojnë deri të premten që lamë pas [më 20 mars], ide se si transferi i mbështetjes financiare të Serbisë drejt qytetarëve të komunitetit serbë është i mundshëm brenda kësaj Rregullore.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin e autoriteteve të Kosovës që të zbatojnë prej 1 shkurtit rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila përcakton euron si valutën e vetme për pagesa me para të gatshme.
Kështu, serbëve të Kosovës u është pamundësuar përdorimi i dinarit serb.
Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për komunitetin serb në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Komuniteti ndërkombëtar e ka përsëritur disa herë që nuk e kundërshton legjitimitetin e vendimit, mirëpo nuk është dakord me shpejtësinë e zbatimit të vendimit, pa ofruar alternativa për serbët në Kosovë.