Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar ndaj propozimit të Komisionit Evropian që i lejon udhëtimin pa viza bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
Ai thotë se propozimi nuk është diskutuar me Qeverinë e Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë. Bislimi shprehet se kjo përben shkelje të sovranitetit tonë dhe është e papranueshme.
“Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel”, shkruan ai.
Reagimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtuara Drejtoria Koordinuese serbe.
Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë.
Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme.
Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkarisht prej vitesh.
Gjithashtu, propozimi shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e këtyre strukturave ilegale.
Ne ftojmë BE-në që këto dokumente t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel.
Komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza.
Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%.
Mbetemi të përkushtuar që të sigurohemi që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës.
Këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e kemi adresuar drejt instancave më të larta të BE-së. I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta.