Gjatë qëndrimit dhe vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati u pritën në takim nga Nënsekretarja për Tregti, Maris Lago.
Forcimi i bashkëpunimit me SHBA-të dhe rritja e investimeve e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve ishin kryetemë e diskutimit.
“Zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi rritjen ekonomike të Kosovës dhe zhvillimit që ka njohur vendi në dyvjeçarin e fundit, duke theksuar edhe rritjen e eksportit si faktor kontribues në rritjen ekonomike”, thuhet në komunikatën për media të Qeverisë.
“Vendi ynë i parë eksportues kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u kërkua që të vazhdohet të shfrytëzohet potenciali i madh që ekziston nga kompanitë tjera nga Kosova të eksportojnë edhe në SHBA dhe krijimi i mundësisë për trajnime të rreth 20 ndërmarrësve nga Kosova vitin e ardhshëm në SHBA”.
Nënsekretarja Lago po ashtu bëhet e ditur se u informua edhe për punën e Qeverisë në forcimin e mekanizmave institucionalë për tërheqjen dhe lehtësimin e investimeve të huaja direkte, si në aspektin ligjor, ashtu edhe në aspektin administrativ e procedural ku hyn edhe dixhitalizimi i shërbimeve.
“Zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministri Murati theksuan se për Qeverinë është i rëndësishëm vazhdimi i mbështetjes së SHBA-së në ndërtimin e një ambienti atraktiv të të bërit biznes në Kosovë, e njëherit e falënderuan Nënsekretaren Lago për takimin dhe bisedën e frytshme”.
“Në këtë takim ata u shoqëruan dhe nga Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës së Kosovës në Amerikë z. Bujar Maxhuni”, përfundon komunikata.