Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq do të takohen javën e ardhshme në Bruksel, ka njoftuar në një konferencë për media zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano.
Bislimi dhe Petkoviq pritet që të flasin për hapat e parë të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.
Dialogu do të vazhdojë, tha zëdhënësi i BE-së, duke paralajmëruar edhe takime të tjera të nivelit të lartë.
“Ajo që mund të them në këtë moment është se një takim i kryenegociatorëve do të zhvillohet javën që vjen në Bruksel. Kryenegociatorët nga të dyja palët janë ftuar nga lehtësuesi i dialogut që të vijnë në Bruksel dhe të avancojnë përpara me hapat e parë për implementimin e gjithë asaj që kanë rënë dakord”, tha Stano.
Stano ka theksuar se tani fokusi është në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke konsideruar se me dakordimin e fundit është arritur “një hap shumë i rëndësishëm”.
“Na vjen mirë që dialogu po bëhet kaq i popullarizuar në rajon dhe gjithnjë e më shumë vende po ofrohen që të jenë mikpritës të tij. Por le të shkojmë hap pas hapi. Dialogu është i bazuar në Bruksel dhe kemi arritur një hap shumë të rëndësishëm në Ohër, pas arritjes së pajtueshmërisë mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës, ku ata u pajtuan edhe për Marrëveshjen, edhe për aneksin e implementimit. Tash fokusi është në implementim”, tha mes tjerash Stano.
Nga Kosova dhe Serbia është kërkuar që ta zbatojnë shpejt atë për të cilën kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq u pajtuan më 18 mars në Ohër. Moszbatimi do të thotë ta braktisësh rrugën drejt BE-së dhe kjo do të ketë pasoja. Nga Brukseli javën e kaluar kanë bërë të ditur se këto ditë nis puna për hapat e parë të zbatimit, që synohet të përfundojë deri në fund të vitit.