Site icon PrishtinaPress

Biseda të tjera në WhatsApp, Kurti i propozon Krasniqit punësimin e një aktivisti

Një bisedë tjetër në grupin e WhatsApp-it të funksionarëve të lartë qeveritarë dëshmon se si Albin Kurti përpiqet të punësojë aktivistë të partisë në KEK. Kryeministri ia rekomandon Nagip Krasniqit emrin e Abdullah Lalës për një pozitë në korporatë. Lala është ish-kryetar i Qendrës së LVV-së në Podujevë.

Albin Kurti e nxit Nagip Krasniqin të marrë në konsideratë të kryejë punësime partiake në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Në serinë e dytë të shkrimeve për bisedat e funksionarëve më të lartë të qeverisë në një grup në platformën WhatsApp, Paparaci publikon një komunikim mes kryeministrit Albin Kurti, ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Kurti i propozon Krasniqit, të akuzuar për korrupsion në dy raste, emrin e një aktivisti të hershëm të Lëvizjes Vetëvendosje për një vend pune në KEK.

Biseda mes Kurtit, Krasniqit dhe Rizvanollit është zhvilluar me 21 tetor të vitit 2022. Ajo është pjesë e hetimeve penale të Prokurorisë Speciale që rezultuan me dy aktakuza për korrupsion ndaj ish-kryeshefit Krasniqi.

Shefi i qeverisë interesohet t’ia bëjë një vend në KEK, Abdullah Lalës, ish-kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, tregon biseda të cilën e ka siguruar Paparaci.

Interesimi i Kurtit del në pah pas kërkesës së Nagip Krasniqit për sugjerimin e emrave të kandidatëve potencial për një konkurs punësimi të Korporatës Energjetike të Kosovës.

“Edhe 4 ditë ka afat për aplikim. Nëse njihni dikënd inkurajoni për të aplikuar”, thotë Krasniqi.

“Abdullah Lala?”, pyet Kurti, derisa propozon emrin e aktivistit, ish-shefit të Qendrës së LVV-së në Podujevë.

Krasniqi i përgjigjet pozitivisht rekomandimit të shefit të Qeverisë, por me kusht që Lala t’i plotësojë kriteret e parapara në konkurs.

“Nëse i plotëson kriteret, pse jo”, i përgjigjet ai.

Kur kryeministri pyet për kriteret, Krasniqi ia dërgon atij një dokument. Aty besohet se ishin detajet e konkursit për pozitën e kërkuar.

Misioni i Kurtit nuk del të jetë realizuar. Lala nuk figuron të jetë punësuar në KEK, bazuar në të dhënat publike.

Abdullah Lala mori pozitë drejtuese me vendim të Qeverisë së Kosovës në mandatin e parë, të shkurtër, të Albin Kurtit si shef i Qeverisë në vitin 2020. Në prill të vitit 2020, Lala ishte emëruar drejtor në Bordin e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos”.

Abdullah Lala, ish-kryetar i Qendrës së LVV-së në Podujevë, në një tubim partiak në vitin 2019

Lala e ka pranuar se është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, në një prononcim për portalin Kallxo.com në prill të vitit 2020, pas emërimit në Bordin e Infrakosit.

“Unë jam anëtar i Vetëvendosjes në Podujevë se jam i asaj ane por jetoj në Prishtinë, po anëtar i VV-së në Podujevë”, kishte thënë Lala.

Ai kishte deklaruar se nuk ka ndonjë post vendimmarrës në degën e LVV-së në Podujevë.

Paparaci, publikoi të hënën biseda në një grup në WhatsApp mes kryeministrit Albin Kurti, Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit. Biseda e inkriminon shefin e Qeverisë, të ardhur në pushtet me premtime për luftimin e krimit dhe nepotizmit.

Biseda e plotë e zhvilluar mes Albin Kurtit, Nagip Krasniqit dhe Artane Rizvanollit:

Nagip Kransiqi: Edhe 4 ditë ka afat për aplikim. Nëse njihni dikënd inkurajoni për të aplikuar.

Albin Kurti: Abdullah Lala?

Nagip Krasniqi: Nëse i plotëson kriteret, pse jo

Albin Kurti: Cilat janë kriteret?

[Nagip Krasniqi e dërgon një dokument]

Artane Rizvanolli: Përvoja menaxheriale shumë problem

Artane Rizvanolli: Apo është OSE

Exit mobile version