Site icon PrishtinaPress

Binjakëzimi dhe Partneriteti Kosovë-Iowa sjell një delegacion mbi 100 anëtarësh në Kosovë

Binjakëzimi dhe Partneriteti i Bashkëpunimit në mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Iowa-s nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që u nënshkrua rreth pesë vjet më parë po vazhdon të jep rezultate konkrete.
Nën organizimin e Konsullatës së Kosovës në Iowa, Iowa Sister States Organization dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, një delegacion rreth njëqind anëtarësh gjysma nga të cilët civil e gjysma tjetër ushtarak nga ky shtet amerikan pritet të vizitojë Kosovën në pjesën e parë të muajit Maj.

Delegacioni civil (55 veta), përfshinë përfaqësues të kompanive të mëdha nga ky shtet, sektorin e bujqësisë për çka Iowa mban primatin në ShBA, përfaqësues nga Universitetet dhe Kolegjet më të njohura të këtij shteti, Kryetar dhe përfaqësues të Komunave të ndryshme, ligjvënës, përfaqësues nga organizata të ndryshme të sportit, ndërsa ai ushtarak nën Komandën e Gjeneralit të Gardës Kombëtare të Iowa-s, Timothy Orr,  do të përfshijë mbi 50 ushtarakë, të cilët do të marrin pjesë në Ushtrimin Fushor të FSK-së, “Shqiponja 6”.

Në kuadër të kësaj vizite dhjetë ditore ata do të priten nga udhëheqësit më të lartë të shtetit te Kosovës për të vazhduar më pas takimet gjithandej nëpër Kosovë me udhëheqës dhe zyrtarë vendor sipas fushave të tyre të linjës.

Qëllimi i kësaj vizite është gjithashtu përcjellja e ecurisë së projekteve të përbashkëta tanimë të filluara dhe atyre që janë planifikuar të fillojnë së shpejti. Vizita do të zyrtarizojë projekte të reja në arsim, ndërsa do të nënshkruhet edhe binjakëzimi i ri në mes Komunës së Vushtrrisë dhe qytetit Norwalk.

Më herët gjatë këtij viti, shtetin e Iowa-s e kanë vizituar Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Ramush Haradinaj, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, z.Behgjet Pacolli, ndërsa hapjen zyrtare të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në këtë shtet e kishte bërë Presidenti Hashim Thaçi.

Kosova është shteti i parë që kishte hapur Konsullatë në shtetin e Iowa-s, si rezultat i Partneritetit të Bashkëpunimit që kishte filluar në mes Gardës Kombëtare të Ushtrisë së shtetit të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Exit mobile version