2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Bileta udhëtimi për vetëm 49 euro në Gjermani, ku përdoret dhe cilat janë përparësitë

Duke filluar nga e hëna (01.05.) në Gjermani mund të përdoret bileta mujore që kushton vetëm 49 euro. Ku përdoret dhe cilat janë përparësitë e kësaj bilete?

Verën e kaluar, pas një rritje të papritur të çmimit të karburantit, në Gjermani ishte futur një biletë mujore për udhëtim me trafikun publik lokal dhe rajonal – me një çmim prej vetëm nëntë euro. Në tre muajt e verës së vitit 2022 kjo biletë është shfrytëzuar në masë të madhe nga udhëtarët që çdo ditë shkojnë në punë, por edhe për ekskursione dhe udhëtime në të gjithë Gjermaninë. Ndaj nuk është për t’u habitur që në tre muajt e shitjes – në qershor, korrik dhe gusht 2022 – u shitën rreth 52 milionë bileta të këtilla mujore.

Kjo bëri që politikanët gjermanë të mendojnë edhe për një biletë mujore pasardhëse, si një model i suksesshëm i qarkullimit. E kjo “pasardhëse” e biletës është futur në fuqi tani, me 1 maj 2023, me emrin “Deutschlandticket”, por me një kosto më të lartë – prej 49 euro në muaj. Megjithatë edhe kjo kosto është shumë më lirë se çdo abonim tjetër për udhëtime me trafikun publik brenda një muaji.

Suksesi i kësaj bilete mujore do të shihet më vonë, por në fillim nuk ka pasur ndonjë nxitim tepër të madh për blerje. E një nga arsyet e mundshme është se kjo biletë nuk mund të blihet në tren apo autobus, por funksionon si abonim mujor. Shitja ka nisur në fillim të prillit, e megjithatë shumëkush e ka lënë që ta marrë në fillim të majit, kur serverët në internet janë të mbingarkuar.

Ku vlen “Deutschlandticket”?

Bileta mujore është e vlefshme për transport urban dhe rajonal kudo në Gjermani – për hekurudha, metro, tramvaje, autobusë, për linja të caktuara transporti në Hamburg e Berlin… Por kjo biletë nuk vlenë për trenat që udhëtojnë në largësi më të mëdha dhe me shpjetësi të lartë (IC, EC, ICE) ose në linjat e autobusëve që qarkullojnë mes qyteteve më të largëta.

Bileta është shumë e përshtatshme për ata që udhëtojnë në qytet apo në afërsi, por për udhëtimet në shtigje më të gjata, mund të kërkojë shumë kohë për të arritur nga një vend në vendin tjetër, sepse duhet udhëtuar me trena rajonalë.

A mund të blejnë këtë biletë edhe të huajt që vijnë për vizitë?

Po, nuk ka lidhje me shtetësinë apo me të drejtën e qëndrimit në Gjermani. Por meqenëse është një abonim, personat që e blejnë këtë biletë duhet të kenë një llogari bankare, e cila njihet dhe pranohet edhe në Gjermani. Por edhe ata që dëshirojnë ta përdorin vetëm një muaj, me rregullat e reja e kanë shumë të lehtë, sepse abonimi mund të ndërpritet çdo muaj, deri në ditën e 10-të të muajit aktual.

A priten tollovi në trena e autobusë?

Në kohën kur përdorej bileta prej 9 euro ka pasur ngarkesa të shumta në trafik, në veçanti në fundjavë, ku shumëkush e shfrytëzonte këtë biletë për të udhëtuar edhe në linja më të gjata. Mund të ndodhë përsëri të ketë trena të tejmmbushur. Sidomos kur dihet se rreth dhjetë milionë njerëz në Gjermani edhe më parë kanë përdorur bileta mujore për transportin publik – ndërsa tani kanë kaluar automatikisht në “Deutschlandticket”, sepse kushton më pak. Sidoqoftë, në kohën e pikut, me siguri që do të ketë më shumë dyndje, por ndoshta jo si verën e kaluar.

A do të mbetet çmimi 49 euro?

Pritet që në dy vitet e ardhshme të mbetet ky çmim, por pas dy vitesh mund të shtrenjtohet, për shkak të inflacionit. Disa lande kanë vendosur ta subvencionojnë këtë biletë nga buxhetet e veta, kështu që në Berlin për shembull bileta mujore kushton vetëm 29 euro. Edhe shumë kompani kanë vendosur të bashkëfinancojnë transportin e punonjësve të tyre.

Por edhe nëse bileta mujore paguhet 49 euro, çmimi është shumë më i ulët se ai real. Në fund të fundit, ky është një vendim politik i Qeverisë dhe nuk dihet si do të jetë politika pas dy vitesh. Ndërsa për udhëtimet e largëta, 600 ose 700 kilometra nëpër Gjermani, kjo biletë nuk është praktike, sepse nuk mund të udhëtohet me trena të shpejtësisë së lartë./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img