Site icon PrishtinaPress

Bildt: Nëse nuk integrohet Ballkani Perëndimor në BE, “non-papers” dalin në tryezë

Diplomatët evropianë Miroslav Lajçak dhe Carl Bildt thanë se vonesat e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin një arsye për shfaqjen e sugjerimeve “shumë të rrezikshme” për ndryshimin e kufijve në rajon.

Në një panel diskutimi të titulluar “Geopolitical Gambles in the Balkans”, Lajcak dhe Bildt shprehën shqetësimin në lidhje me dy të ashtuquajtura ‘non-papers’, njëra prej të cilave pretendohet se  mbante autorësinë e  kryeministri slloven, Janez Jansha dhe tjetra nga Franca dhe Gjermania, gjë që është mohuar nga këto dy shtete.

“Kur ne (BE-ja) krijuam një boshllëk në rajon, të tjerët po vijnë me ide të tjera. Nëse nuk jemi seriozë me Planin A (anëtarësimin në BE për shtetet e Ballkanit), do të vijnë njerëz të tjerë me një Plan B dhe kjo është pikërisht ajo për të cilën flitet në ‘non-paperi’-in e parë”, deklaroi Lajçak, emisar special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi.

Bildt ishte dakord me këto konstatime të Lajçakut.

“Nëse Plani A nuk funksionon, i cili humbi besueshmërinë për BE-në, atëherë keni Planin B, ‘non-papers’ dalin në tryezë”, tha Bildt, përcjell reporter.al.

Ai gjithashtu i përshkroi sugjerimet për rishikimin e kufijve si “shumë të rrezikshme”.

“Të gjithë po thonë se nuk janë dakord me ‘non-papres’, por të gjithë ata që janë marrë me Ballkanin e dinë se ka mjaft njerëz rreth këtyre ‘non-papers’”, tha ai.

Bildt argumentoi se lojtarët e tjerë ndërkombëtarë nuk po bëhen më të fortë në Ballkan, por BE-ja po bëhet më e dobët.

“Nuk është se Rusia, Turqia dhe të tjerë janë aktorë të fortë në Ballkan, por nëse BE-ja bëhet më e dobët, të tjerët mund të bëhen më të fortë nga përkufizimi pa qenë veçanërisht të fortë”, tha ai.

Paneli i diskutimit u organizua nga Instituti Italian për Studime Politike Ndërkombëtare, ISPI, dhe u moderua nga Tim Judah, korrespondent i Ballkanit për The Economist dhe president i bordit të BIRN.

Exit mobile version