Stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë është duke punuar nën mbikqyrje të kamerave te sigurisë, të vendosura nga drejtoria e Shërbimit Korrektues. Pra, ata janë duke u mbikqyrur nga shefat e tyre gjatë tërë orarit të tyre të punës.
Burime të Gazetës Insajderi thonë se madje kjo ka shkaktuar që të fillojnë edhe talljet me stafin e kësaj qendre.
“Ka gati tri jave që aty janë vendosur kamerat. Çdo lëvizje e tyre shihet ne kamera. Brenda Shërbimit Korrektues kanë filluar talljet me ta. Sepse po vezhgohen si ne Big Brother”, i ka thëne Insajderit një burim brenda drejtorisë se Shërbimit Korrektues.
Rasti i njëjtë ndodhi edhe në komunën e Lipjanit kur ditë më parë në televizionin Dukagjini u raportua se dyshohej të jenë vendosur kamera brenda një hapësirë të burgut të grave në Lipjan.
Sipas televizionit në fjalë e përfshirë në rast ka qenë edhe drejtoresha e Qendrës, Fatlinda Mustafa-Vuniqi edhe zyrtarët,Albert Krasniqi dhe Ilir Kelmendi. Zyrtarët në fjalë përfshirja në këtë rast i qoi në suspendim.
Në telefonatën e marrë nga televizioni, drejtoresha e Qendrës, bashkë me Albert Krasniqin i cili është mbikëqyrësi për siguri, nuk ishin përgjigjur. Ndërsa Ilir Kelmendi kishte thënë se suspendimi ndaj tij është në proces dhe ai do të flasë vetëm pasi të përfundojë çështja.
Avokati Leutrim Syla tha për Dukagjinin se nëse vërtetohen shkelje të tilla, atëherë kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut.
“Nëse masa të tilla janë përdorë pa bazë ligjore, apo nuk kanë pasur arsyetim të mjaftueshëm, apo që palët nuk janë informuar se po përdoren masa të tilla, besoj se kjo është problematike dhe mund të konsiderohet shkelje e pastër e të drejtave të njeriut”, deklaroi avokati Syla.
Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës tregoi se kur lejohet vendosja e kamerave në hapësira të brendshme të burgjeve për televizionin Dukagjini.
“Kjo lejohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme kur kemi të bëjmë me persona që rrezikojnë vetëvrasjen, apo që janë në gjendje të rëndë të shëndetit mendorë. Vëzhgimi i përhershëm me kamera duhet të bëhet përmes procedurave ligjore të miratuara paraprakisht”.
Vendimi për suspendimin e tre zyrtarëve korrektues është marrë nga Komisioni Disiplinorë brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës.