Site icon PrishtinaPress

Bie eksodi i kosovarëve drejt mërgimit

Kosova vitin e kaluar u përballë me një fluks tejet të madh të imigrimit ilegal të kosovarëve drejt shteteve perëndimore, në kërkim të një jete më të mirë.

Papunësia e madhe në vend dhe moszhvillimi ekonomik ishin arsyet kryesore pse edhe ndodhi eksodi gjatë asaj periudhe i paparë ndonjëherë.
Stacioni i autobusëve në Prishtinë ishte vendi më i frekuentuar në atë kohë, ku familjarë të shumtë mes bërtimave e lotëve të fëmijëve shtyheshin për ta nxënë një ulëse për të marr rrugën drejt migrimit.
Dera e autobusit mezi mbyllej, e disa udhëtarë mbeteshin në këmbë deri në Beograd. Kishte të tjerë që nuk arrinin të hipnin fare, duke mbetur me shpresën se do të ketë një ulëse për ta ditën e nesërme, shkruan lajmi.net.
Por fati i njëjtë duket se nuk do ta përcjellë Kosovën këtë vit. Madje nuk ka asnjë indikacion që do të përsëritet vala e emigrimit siç kishte ndodhur në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015.
Të paktën kështu bën të ditur për lajmi.net Valon Krasniqi Drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Nga shkurti i vitit 2015 ka pasur rënie të numrit të emigrimit jo të rregullt të qytetareve të Kosovës në drejtim të vendeve të BE-së dhe nuk ka asnjë indikacion që do të përsëritet vala e emigrimit siç kishte ndodhur në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015”, është shprehur Krasniqi.
Shumë persona që ia mësynë rrugëve, acarit të dimrit sikurse edhe rrezikut për të kaluar rrugët ilegale me qëllim  arritjen në destinacionin e tyre jashtë shtetit të Kosovës u kthyen të zhgënjyer pasi atyre nuk iu pranuan kërkesat për azil.
Ndërkaq, numri i atyre që janë kthyer apo riatdhesuar sipas drejtorit për Migracion Valon Krasniqi për periudhën janar-nëntor 2016 ka shkuar në  13229 shtetas të Kosovës të cilën kanë emigruar në mënyrë jo të rregullt dhe nuk i kanë plotësuar kushtet e qëndrimit në vende të ndryshme të BE-së.
“Nga numri total i te riatdhesuarve prinë Gjermania me 11176  të riatdhesuar, pastaj Zvicra me 484 Austria 361, etj. Gjatë vitit 2015 janë riatdhesuar mbi 18500 Shtetas të Kosovës”, shpjegon ai për lajmi.net.
Qytetarët që u larguan apo kishin qëllim të ikin nga Kosova e fajësuan Qeverinë e Kosovës së nuk është punuar  aspak në përmirësimin e jetës.
Exit mobile version