-4.3 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Bie çmimi i naftës, po jo edhe i biletave: Kosovarët po paguajnë njëjtë për transportin

Në muajt e fundit ka filluar të zbritet çmimi i derivateve në Kosovë, mirëpo çmimi i biletave të transportit publik në vend nuk është ulur, por ka mbetur i njëjtë.

Biletat e udhëtimit në tërë vendin një vit më parë kishin shënuar ngritje, në kohën kur ishte shtrenjtuar nafta deri 1.90 euro, si rrjedhojë e invazionit rus në Ukrainë.

Udhëtarët nga rajone të ndryshme në Kosovë, thonë se pas uljes së çmimit të naftës duhet të ulet edhe çmimi i biletave, gjersa shtojnë se për udhëtarët studentë, është i papërballueshëm.

Edhe drejtues të shoqatës së naftëtarëve kanë konfirmuar rënie të çmimit të derivateve, dhe kanë kërkuar nga të gjitha bizneset dhe operatorët ekonomik që të reflektojnë në uljen e çmimeve.

Udhëtari nga Juniku, Florent Kuqi, thotë se çmimi i biletës së autobusit nga Juniku në Prishtinë është 5 euro, gjersa thekson se ky çmim është i papërballueshëm për studentët.

“Biletat duhet të ulen, pasi që është ulur edhe çmimi i naftës, për arsye që Kosova është pak vend i vogël dhe ka shumë pak të punësuar… Nga Juniku deri në Prishtinë, bileta është 5 euro. Për disa qytetarë është e papërballueshme, sepse ka shumë studentë që shkojnë nga Juniku në Prishtinë, Pejë dhe varët nga relacioni që është”, u shpreh ai.

Xhevdet Spahia, thotë se biletat më shumë nga 5 euro, janë të papërballueshme për prindërit që i financojnë fëmijët gjatë studimeve të tyre në vende me distancë të largët.

“Çmimet e biletave, të autobusëve është dashur të lirohen, për arsye se nafta është liruar, benzina është liruar dhe meqenëse është shtrenjtuar atëherë kur është shtrenjtuar dhe nafta, tash le t’i lirojnë dhe këto… Për studentë, 5 euro bileta, nga Peja, Gjakova, të vijnë deri në Prishtinë është shtrenjtë dhe prindi që duhet ta financojë atë fëmijë e ka problem. Ndoshta i ka dy tre fëmijë, në të njëjtën kohë në studime, është e papërballueshme”, theksoi ai.

Sheref Tepeku, gjersa ankohet për çmimin e lartë të biletave, konsideron se puna e çmimeve nga linjat e autobusëve ngjason me biznes.

“Kanë thënë që pasi është ngritur çmimi i naftës, janë ngritur dhe biletat dhe tashmë meqë është zvogëluar çmimi i naftës duhet të zvogëlohet edhe çmimi i biletave”, tha ai.

Mendim të njëjtë nuk ka edhe Bajram Seferi, nga linja e autobusëve Pejë-Prishtinë. Ai thotë se ulja e çmimit të biletave për udhëtarë, nuk është në favorin e tyre, gjersa shton se përveç naftës ata detyrohen të paguajnë edhe shpenzimet e tjera që i posedon autobusi.

“Jo assesi. Më së paku na konvenon neve si transportues t’i ulim çmimet e biletave, në përjashtim edhe kur ngritën çmimet e derivateve, neve transportuesit e linjave Pejë-Prishtinë, nuk është në pyetje vetëm çmimi i biletave. Ne edhe para shtrenjtimit të naftës e kemi pasur çmimin prej 4 euro për studentë dhe 5 euro për udhëtarë, andaj edhe sot janë çmimet e njëjta. Edhe pse çmimi i derivateve ka pak zbritje, çmimet e tjera janë zakonisht të larta, si p.sh çmimi për mëditjen e shoferit, mëditjen e kondukterit, çmimi për pjesët amortizuese të autobusit në fjalë, atëherë tek ne më së paku ka llogari për ta ulur çmimin e biletave… Sipas nesh çmimi nuk është i papërballueshëm. Ne i bëjmë 100 kilometra në një drejtim, dhe 100 kilometra 4 euro, nuk është një çmim aq i madh sa të mos munden ta përballojnë”, potencoi ai.

I të njëjti mendim ishte edhe Qerim Xhaferi, nga linja e autobusëve Ferizaj-Prishtinë. Meqenëse bileta e kësaj linje është 1 euro, sipas tij nuk është e nevojshme të ulet çmimi.

“Çmimi i biletave nuk na konvenon të ulet sepse uljen e kemi mjaftueshëm, çmimi i biletës është një euro, nuk ka çfarë të zbritet më shumë. Ne e kemi biletën më të lirë, Ferizaj-Prishtinë”, u shpreh ai.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kryetari i Shoqatës së Naftarëve Fadil Berjani, thotë se brenda afatit kohorë ka rënie të derivateve për 0,65 centë dhe thekson se pas uljes së çmimit të derivateve duhet të ulet edhe çmimi i biletave të autobusëve.

Berjani: Të gjithë duhet të reflektojmë në uljen e çmimeve

“Aktualisht çmimi i naftës është 1.29, ndërsa i benzinës, 1.30. Brenda afatit kohor kemi rënie të derivateve në Kosovë për 0,65 cent…Çmimet e derivateve për qytetarët tanë, janë të larta në krahasim me çfarë standardi kanë. Të gjithë duhet të reflektojnë në uljen e çmimeve, ngase të gjitha produktet dhe biletat janë rritur si pasojë e rritjes së derivateve. Tashmë çmimi i derivateve ka rënë, janë ulur çmimet, andaj biletat dhe të gjitha produktet ushqimore duhet të ulën, në mënyrë që qytetarët të kenë një jetë më të mirë dhe më të lirë”, theksoi ai.

Kujtojmë se para 6 muajsh, një litër naftë shkonte rreth 1.90 euro-cent. Ndërkaq, çmimet e derivateve janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img