Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u rikthye triumfalisht në Uashington të mërkurën, duke u zotuar për një tranzicion të rregullt të pushtetit në janar, ndërsa u takua për dy orë në Shtëpinë e Bardhë me rivalin e tij politik për një kohë të gjatë, presidentin Joe Biden.
“Ishte një takim me përmbajtje”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre. “Ata diskutuan çështje të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe politikës së brendshme me të cilat përballet vendi dhe bota”.
Presidenti Biden e ftoi Trump për vizitën tradicionale, një dëshmi për transferimin paqësor të pushtetit në demokracinë amerikane mes presidentit në detyrë dhe udhëheqësit të ri.
Kjo ishte vizita e parë e Trump në Shtëpinë e Bardhë që nga mbarimi i mandatit të tij të parë presidencial në janar të 2021. Biden dhe Trump u ulën para oxhakut në Zyrën Ovale përpara se të nisnin bisedën private.
“Synimi ynë është të kemi një tranzicion të qetë, do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju siguruar çfarëdo që ju nevojitet”, tha Biden duke i uruar mirëseardhjen presidentit të zgjedhur Trump.
“Faleminderit shumë”, tha Trump.
“Politika është e vështirë dhe shpesh bota nuk është shumë e bukur, por sot është një botë e bukur dhe unë e vlerësoj shumë një tranzicion të qetë. Do të jetë shumë i rregullt dhe e vlerësoj shumë një gjë të tillë Joe”, tha Trump, i cili merr detyrën më 20 janar.
Gazetarët u përpoqën të bëjnë pyetje, por u nxorën me shpejtësi nga salla, përpara se Biden dhe Trump të vazhdonin takimin pa praninë e tyre.
Takimi ishte në një kontrast të thellë me marrëdhënien e tensionuar që kanë pasur ndër vite dy udhëheqësit.
Ekipet e tyre kanë qëndrime shumë të ndryshme mbi politikat, nga çështjet që lidhen me ndryshimin e klimës, tek ato që lidhen me Rusinë deri tek tregtia.