Çdo vit në muajin prill, presidenti në detyrë dhe gazetarët mblidhen në Shtëpinë e Bardhë për një darkë, që dominohet nga humori. E njohur si ‘Darka e Korrespondentëve në Shtëpinë e Bardhë’, ajo është e mbushur me figura të njohura dhe është një moment i përshtatshëm për të analizuar se si një president i ndryshon fjalimet në varësi të audiencës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti njofton mbi pritshmërinë mbi këtë ngjarje në këtë vit zgjedhjesh.
Gazetarët e organizojnë Darkën e Korrespondentëve në Shtëpinë e Bardhë, por yjet e vërtetë të saj janë presidenti dhe komediani i zgjedhur për të argëtuar audiencën. Ndonjëherë, presidenti është humorist.
“Jam kritikuar se kam shmangur Kongresin. Ku është problemi këtu? Shumë gjëra fluturojnë mbi kokat e ligjvënësve”, tha ish Presidenti Ronald Reagan Darkën e Korrespondentëve më 17 prill 1986.
Në Darkën e Korrespondentëve bëhet humor me presidentin në detyrë, i cili përgjigjet me humor të parapërgatitur për gazetarët e akredituar në Shtëpinë e Bardhë dhe të ftuarit e tyre. Në mesin e të ftuarve zakonisht ka yje të Hollivudit dhe personazhe të tjerë të famshëm.
“Në fund të fundit, unë besoj në Amendamentin e Parë. Jo thjesht sepse ai është shkruar nga miku im i mirë Jimmy Madison”, tha Presidenti Biden në Darkën e Korrespondentëve në vitin 2023.
Në këtë vit zgjedhjesh, pjesëmarrësit e zakonshëm të kësaj ngjarje presin që Presidenti Biden në shakatë e tij të përmend edhe rivalin e tij politik.
“Mendoj se një nga temat kryesore gjatë mandatit të tij ka qenë rëndësia e demokracisë dhe natyra e brishtë e saj në këtë periudhë të veçantë”, thotë studiuesja e politikës Martha Joynt.
Kjo është një traditë amerikane për çdo president. Por, në vitin 1981, presidenti Ronald Reagan nuk arriti të merrte pjesë në Darkën e Korrespondentëve për shkak të plagëve që mori nga një atentat kundër tij.
Që atëherë, çdo president ka marrë pjesë në këtë ngjarje, përveç ish Presidentit Trump, i cili nuk mori pjesë asnjëherë gjatë mandatit të tij.
“Mendoj se ai nuk ishte i interesuar të merrte pjesë në këtë ngjarje”, thotë studiuesja Martha Joynt Kumar.
Sidomos pas vitit 2011, kur biznesmeni i atëhershëm Donald Trump ishte objekt i një breshërie kritikash nga presidenti i atëhershëm Barack Obama dhe komediani Seth Meyers.
“Donald Trumpi ka thënë se do të kandidojë për president si republikan, gjë që është befasuese, sepse unë mendova se ai do ta bënte këtë për shaka”, tha komediani Seth Meyers.
“Askush nuk është më i gatshëm të heqë dorë nga çështja e certifikatës së lindjes sesa ‘Donaldi’. Kjo do t’i jepte atij mundësinë të përqendrohet në çështjet e rëndësishme, si falsifikimi i mbërritjes në Hënë”, tha Presidenti Obama në Darkën e Korrespondentëve në vitin 2011.
Të tjerë thonë se këto kritika e çimentuan idenë e tij për të hyrë në garën për president, të cilën zoti Trump e ka mohuar.
Shumica e presidentëve tallen me median dhe më pas shfrytëzojnë rastin për ta nderuar atë.
“Shtypi i lirë është një shtyllë, ndoshta shtylla e një shoqërie të lirë, jo armiku”, tha Presidenti Biden.
Sidomos në një botë ku gazetarët mund të burgosen për shakatë që bëjnë me presidentin, siç u theksua nga komediani Trevor Noah dy vjet më parë.
“A e kuptoni sa e mahnitshme është kjo? Sonte u talla me presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe çdo gjë do të jetë në rregull me mua….apo jo?”, pyeti ai në darkën e korrespondentëve në vitin 2022.
Avantazhet e demokracisë dhe shtypi i lirë do të jenë sërish në qendër të vëmendjes në Uashington të shtunën mbrëma./VOA