Presidenti amerikan Joe Biden rrezikoi të thyente protokollin mbretëror gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, teksa ecte dy hapa përpara mbretit Charles në takimin e tyre në Kështjellën Windsor.
Presidenti i SHBA takoi Mbretin për të diskutuar rreth ndryshimeve klimatike, pasi më parë ishte ulur për të diskutuar me kryeministrin britanik Rishi Sunak në kopshtin e Downing Street.
Teksa Biden dhe Charles parakalonin në një rresht nderi të formuar nga Garda e Uellsit në respekt të tyre, Presidenti amerikan bëri dy hapa përpara mbretit, veprim që përbën thyerje të protokollit të ceremonive zyrtare.
Charles nuk u duk ta shihte si problem këtë lëvizje të Biden, pasi të dy buzëqeshën teksa shkëmbenin disa biseda pas “incidentit” që u vu re nga mediat.
Eksperti i mirësjelljes, William Hanson, tha për MailOnline se është praktikë më standarde që krerët e shteteve të ecin përkrah njëri-tjetrit, por gabime të tilla si të Biden mund të ndodhin në kushtet kur ai dukej shumë i rehatuar në shoqërinë e mbretit.
I pyetur pse ai mund të kishte ecur para Mbretit, Hanson tha: “Ai ishte ose shumë i relaksuar ose thjesht e humbi për një moment”.
“Ndonjëherë edhe ata janë nervozë. Windsor është një mjedis frikësues”.
Biden po ashtu u fotografua duke i vendosur dorën në kurriz, Mbretit.
Hanson tha se nëse kjo do të kishte ndodhur me mbretëreshën Elizabeth, do të kishte pasuar më shumë zemërim nga ana e publikut.
“Në përgjithësi nuk është gjëja e duhur për t’u bërë që të prekin familjen mbretërore. Biden është një kryetar shteti, protokolli midis krerëve të shteteve është se ata janë mes të barabartëve. Por, ajo që po shohim me mbretërimin e Charles është se është shumë më informal se nëna e tij”, shtoi eksperti.
Duhet thënë se Biden nuk është i vetmi President amerikan që ka thyer protokollin, pasi Donald Trump u vendos në qendër të kritikave në vitin 2018 kur eci dy hapa para mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II gjatë një vizite në Windsor.