Në fjalimin mbajtur në darkën vjetore të korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti amerikan Joe Biden kritikoi rivalin e tij republikan Donald Trump për papjekuri, ai bëri gjithashtu shaka me moshën e vet të madhe, si dhe sfidoi përfaqësuesit e medias në Uashington.
“Sigurisht që mosha është problem. Jam një burrë i rritur, që po konkuron me një 6-vjeçar“, tha zoti Biden duke iu referuar rivalit të tij politik, Donald Trump.
Tetëdhjetë e një vjeçari Joe Biden, tha se ai dhe ish-Presidenti Trump, 77 vjeç kanë vetë një gjë të përbashkët që është “mosha” përjashtuar faktin që siç tha ai “mua nënpresidenti im në fakt më mbështet”. Një fjali që dukshëm i referohej marrëdhënieve të ndryshme mes tij dhe nënpresidentes Kamala Harris nga njëra anë dhe zotit Trump e ish-nënpresidentin Mike Pence nga ana tjetër.
Në një reagim të tij në platformën “Truth Social” lidhur me darkën e korrespondentëve, zoti Trump e cilësoi ngjarjen si “diçka të keqe” e Presidentin Biden, një fatkeqësi absolute, që nuk ka ku të shkojë më keq.
Takimi u mbajt ndërsa një grup njerëzish të mbledhur jashtë ambjenteve ky po zhvillohej ngjarja, protestuan kundër qëndrimeve të administratës së zotit Biden në raport me luftën në Gazë.
Qindra protestues inkurajuan gazetarët që të bojkotonin aktivitetin e t’u bashkoheshin në kritikat drejtuar administratës.
Zoti Biden shmangi grumbullin e madh të njerëzve në pjesën e përparme të hotelit ku po mbahej aktiviteti duke hyrë nga pjesa e pasme e tij, ku ndodheshin grupe më të vogla protestuesish, që bënin thirrje për armëpushim në Gazë.
Darka e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, një aktivitet shekullor, bën bashkë gazetarë, politikanë dhe personalitete të jetës sociale e kulturore.
Ajo shoqërohet shpesh me shaka e sarkazëm miqësore nga presidenti në një fjalim që ka në epiqendër gazetarët apo dhe ftuar të tjerë që zakonisht ndodhen në audiencë.
Gjatë fjalës së tij zoti Biden ofroi disa këshilla për gazetarët.
“Sinqerisht nuk po ju kërkoj të mbani anë, por të ngriheni në nivelin që kërkon situata aktuale. Të mos merreni me atë çfarë tregojnë sondazhet lidhur me garën apo të mos shpërqendroheni nga zhvillime dytësore, që përdoren për sensacion, por të përqëndroheni tek ajo çka rrezikohet”, tha Presidenti Biden.
Këtë vit, darka e korrespondentëve u drejtua nga komediani i emisionit të njohur satirik “Saturday Night Live”, Colin Jost. /VOA