1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Biden thotë se SHBA-ja nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë avionë luftarakë F-16 në Ukrainë, edhe pse presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca nuk e përjashton dërgimin e tyre nëse plotësohen disa kushte.

Biden u përgjigj “jo” në pyetjen e gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë nëse ai ishte në favor të dërgimit të tyre.

Macron u pyet më 30 janar në një konferencë të përbashkët shtypi në Hagë me kryeministrin holandez, Mark Rutte, nëse Franca po shqyrtonte dërgimin e avionëve luftarakë. “Asgjë nuk është e përjashtuar, por disa kushte duhet të plotësohen së pari”, tha ai, pa dhënë më shumë detaje.

Ukraina do të duhet të kërkojë zyrtarisht avionët, tha Macron, i cili pritet të takohet me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, në Paris më 31 janar.

Rutte tha se Ukraina nuk kishte kërkuar zyrtarisht avionë luftarakë F-16 nga Holanda dhe aktualisht “nuk flitet për dërgimin e F-16 në Ukrainë. Nuk ka asnjë kërkesë”.

Ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra, u tha ligjvënësve në fillim të këtij muaji se nuk kishte “asnjë tabu” për dërgimin e avionëve luftarakë.

Ndërkohë në Berlin, ambasadori ukrainas në Gjermani tha se Kievi nuk i kishte kërkuar ende Gjermanisë t’i furnizonte me avionë luftarakë, por vuri në dukje se sa të rëndësishëm do të ishin ata.

Avionët luftarakë janë pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore dhe për t’u mbrojtur kundër raketave të lëshuara në qytetet dhe infrastrukturën e Ukrainës, tha Oleksiy Makeyev për transmetuesin Deutsche Welle.

Komentet e tij erdhën pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz, përsëriti më 29 janar se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.

Scholz u pajtua javën e kaluar për të dërguar 14 tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.

Pas këtij vendimi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Pesckov, tha se vendimet e Perëndimit, përfshirë edhe dërgimin e tankeve, po krijojnë një situatë “shumë, shumë të tensionuar” të sigurisë në Evropë dhe për botën në përgjithësi.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë.

Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia dhe disa shtete të tjera pritet të dërgojnë tanket e tyre Leopard në Ukrainë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img