Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka qenë i ashpër me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu duke i thënë qartazi se e ardhmja e mbështetjes amerikane për luftën në Gaza varet nga masat që do të merren për mbrojtjen e civilëve dhe punonjësve humanitarë.
Dy liderët zhvilluan një bisedë të gjatë telefonike disa ditë pasi 7 punonjës humanitarë në Gaza u vranë aksidentalisht si pasojë e sulmeve izraelite.
“Presidenti e bëri të qartë nevojën që Izraeli zbatojë masa të reja, konkrete, të veçanta dhe të qarta për të mbrojtur civilët dhe punonjësit e ndihmave”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë pas bisedës mes dy udhëheqësve.
Biden, po ashtu i tha Netanyahut se një armëpushim i menjëhershëm është kyç dhe i bëri thirrje Izraelit të arrinte një marrëveshje pa vonesë.
Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha në Bruksel se mbështetja amerikane do të reduktohej nëse Izraeli nuk do të bënte ndryshime domethënëse në mënyrën se si po zhvillon luftën.