Site icon PrishtinaPress

Biden mbron vendimin për furnizimin e Ukrainës me bomba thërrmuese

Presidenti Joe Biden mbrojti të premten vendimin ta furnizuar Ukrainën me bomba thërrmuese, një veprim që administrata e tij tha se ishte kyç për luftën dhe i mbështetur nga premtimi i Ukrainës për t’i përdorur me kujdes këto bomba të debatueshme.

Vendimi vjen në prag të samitit të NATO-s në Lituani, ku Presidenti Biden ka të ngjarë të përballet me pyetje nga aleatët se pse Shtetet e Bashkuara po i dërgojnë Ukrainës armë, që janë të ndaluara nga më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të aleancës, sepse ato shkaktojnë shumë viktima civile.

“Më mori pak kohë që të bindesha për ta bërë këtë”, tha presidenti Biden në një intervistë për rrjetin CNN. Ai shtoi se në fund pranoi rekomandimin e Departamentit të Mbrojtjes për ta furnizuar Kievin me këtë lloj municioni dhe e diskutoi çështjen me aleatët dhe me ligjvënësit në Kongres. Ai tha se “ukrainasve po u mbarojnë municionet” dhe bombat thërrmuese do të ofrojnë një zgjidhje të përkohshme për të ndihmuar në ndalimin e tankeve ruse.

Bombat thërrmuese janë pjesë e një pakete të re ndihmash ushtarake prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën.


Vendimi vjen pavarësisht shqetësimeve të përhapura se këto lloje bombash mund të shkaktojnë viktima civile. Pentagoni do të ofrojë municione që kanë një “normë pashpërthyeshmërie” të reduktuar, që do të thotë se do të ketë shumë më pak raunde të pashpërthyera bombash që mund të rezultojnë në vdekje të paqëllimshme civile.

Bombat thërrmuese hapen në ajër për të goditur disa objektiva në të njëjtën kohë.

Armët do të vijnë nga rezervat e Pentagonit dhe do të përfshijnë automjete të blinduara “Bradley” dhe “Stryker” dhe një sërë municionesh, përfshirë ato të artilerisë së rëndë të llojit HIMARS, tha Nënsekretari i Mbrojtjes për politikat, Colin Kahl në një konferencë me gazetarët të premten në Pentagon.

Të kërkuara prej kohësh nga Ukraina, bombat thërrmuese janë armë që hapen në ajër, duke lëshuar bomba më të vogla të cilat shpërndahen në një zonë të madhe dhe kanë për qëllim të shkatërrojnë objektiva të shumtë në të njëjtën kohë.

Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar armët për të ndihmuar fushatën e tyre për të zbrapsur trupat ruse dhe për të arritur fitore në kundërsulmin e vazhdueshëm. Forcat ruse po përdorin tashmë bomba thërrmuese në fushën e betejës dhe në zonat e populluara civile, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, disa municione thërrmuese lënë pas “bomba” që kanë një shkallë të lartë dështimi për të shpërthyer – deri në 40 për qind në disa raste. Zyrtarët amerikanë thanë të enjten se shkalla e municioneve të pashpërthyera për bombat që do të shkojnë në Ukrainë është më pak se 3 për dind dhe për këtë arsye do të thotë më pak kërcënime për civilët.

Bombat thërrmuese mund të gjuhen me artileri që Shtetet e Bashkuara tashmë i kanë ofruar Ukrainës dhe Pentagoni ka një rezervë të madhe të tyre.

Sipas Pentagonit, përdorimi i fundit nga Shtetet e Bashkuara në shkallë të gjerë i bombave thërrmuese ishte gjatë sulmit në Irak në vitin 2003. Por forcat amerikane i konsideruan ato një armë kyçe gjatë pushtimit të Afganistanit në vitin 2001, sipas organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch”. Në tre vitet e para të atij konflikti, vlerësohet se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara hodhi më shumë se 1500 bomba thërrmuese në Afganistan.

Përkrahësit e ndalimit të bombave thërrmuese thonë se ato vrasin pa dallim dhe rrezikojnë civilët shumë kohë pas përdorimit të tyre.

Konventa për ndalimin e përdorimit të bombave thërrmuese është nënshkruar nga më shumë se 120 vende. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina janë ndër vendet që nuk e kanë nënshkruar atë.

Gjatë një konference për shtyp para njoftimit të pakos së re ushtarake nga Pentagoni, Jake Sullivan, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, mbrojti vendimin për dërgimin e bombave thërrmuese në Ukrainë.

Ai tha se Rusia ka përdorur municione të tilla kundër Ukrainës që nga fillimi i konfliktit duke shtuar se përdorimi i predhave të artilerisë nga Ukraina është aq i shpeshtë, sa është e vështirë që sigurohet prodhim i mjaftueshëm, për të mbuluar nevojat.

Zoti Sullivan foli dhe mbi takimin e ardhshëm të NATO-s. Ndërsa Ukraina nuk pritet të bëhet anëtare e aleancës gjatë këtij takimit, anëtarët e saj, do të diskutojnë rreth hapave të nevojshëm që Kievi të kualifikohet për anëtarësim në aleancën ushtarake, tha Shtëpia e Bardhë të premten.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan tha se takimi i Vilniusit në Lituani, do të jetë një hap i rëndësishëm në rrugën e Ukrainës për t’u bërë pjesë e aleancës.

Exit mobile version