2.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Biden do t’i kërkojë Trumpit të vazhdojë ndihmat për Ukrainën

Presidenti Joe Biden do të diskutojë mbi përparësitë kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme të Shteteve të Bashkuara me Presidentin e zgjedhur Donald Trump gjatë takimit që do të mbahet të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, tha këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, të dielën.

Në një intervistë për emisionin “Face the Nation” të rrjetit CBS, zoti Sullivan tha se mesazhi kryesor i Presidentit Biden do të jetë angazhimi për të siguruar një transferim paqësor të pushtetit. Presidenti Biden, sipas zotit Sullivan, gjithashtu do të bisedojë me Presidentin e zgjedhur Trump për zhvillimet e mundshme në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme.

Një temë kyçe ka të ngjarë të jetë lufta e Ukrainës me Rusinë, për të cilën Presidenti i zgjedhur Trump është zotuar se do t’i jap fund me shpejtësi, megjithëse nuk ka dhënë detaje.

“Presidenti Biden do të ketë mundësinë, gjatë 70 ditëve të ardhshme, t’i paraqesë Kongresit dhe administratës së ardhshme argumentet se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ulin mbështetjen për Ukrainë, dhe se largimi nga Ukraina nënkupton më shumë destabilitet në Evropë,” tha zoti Sullivan.

“Presidenti Biden do të argumentojë nevojën për burime të vazhdueshme për Ukrainën pas përfundimit të mandatit të tij”, tha zoti Sullivan.

“Presidenti Biden do të ketë mundësinë t’i shpjegojë zotit Trump sesi e vlerëson situatën dhe të marrë mendimin e zotit Trump si do t’i trajtojë ai këto çështje kur të marrë drejtimin e vendit”, tha këshilltari Sullivan.

Uashingtoni i ka dhënë Ukrainës dhjetëra miliarda dollarë në ndihma ushtarake dhe ekonomike që kur Rusia filloi sulmin në shkurt të vitit 2022. Presidenti i zgjedhur Trump i ka kritikuar vazhdimisht këto ndihma.

Ai këmbënguli vitin e kaluar se Presidenti Vladimir Putin nuk do ta kishte nisur asnjëherë sulmin ndaj Ukrainës nëse do të kishte qenë në Shtëpinë e Bardhë në atë kohë. Ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Ukrainës mund t’i duhet të heq dorë nga një pjesë e territorit për të arritur një marrëveshje paqeje, diçka që ukrainasit e refuzojnë dhe Presidenti Biden nuk e ka sugjeruar kurrë.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, gjithashtu tha se është Hamasi, jo Izraeli, ai që po pengon arritjen e një armëpushimi në Gazë.

Zoti Sullivan, tha gjatë intervistës në programin “Face the Nation” të rrjetit CBS, se Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojnë lejimin nga Izraeli të dërgimit e ndihmave humanitare në Gazë.

Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i dërguan muajin e kaluar Izraelit një letër ku i kërkohej lejimi i hyrjes në Gazë i një numri të caktuar kamionësh me ndihma./VOA

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img