Një pjesë e gjelbërimit ndërmjet blloqeve 1 dhe 2 të ndërtesave në rrugën “Afrim Zhitia”, në lagjen “Bregu i Diellit” të kryeqytetit ka një javë që është mbuluar me zhavorr e beton. Komuna e Prishtinës ka vendosur që aty të ndërtojë një kënd të lojërave për fëmijë.
Banorët e ndërtesave përreth janë befasuar me këtë vendim të Komunës. Ata kanë thënë se as nuk kanë bërë kërkesë në Komunë për ndërtimin e këndit të lojërave as Komuna nuk i ka pyetur nëse duan apo kanë nevojë për një kënd të tillë.
Disa banorë, me të cilët ka kontaktuar gazeta, kanë thënë se nuk po u pëlqen fare vendimi i Komunës për të shkatërruar atë hapësirë të gjelbëruar.
Erzen Vraniqi, zyrtar për media në Komunën e Prishtinës, ka thënë se aty do të ndërtohet një kënd i lojërave për fëmijë. Komuna, sipas tij, ka një projekt për ndërtimin e tri kënde lojërash në vende të ndryshme, vlera e të cilave arrin në 95 mijë euro.