Site icon PrishtinaPress

Betohen 17 vullnetarët e rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë

Pas përfundimit të trajnimit 10-javor për gjuhë, kulturë dhe trajnim profesional, janë betuar 17 vullnetarët e rinj të Korpusit të Paqes në Kosovë.

Në këtë ngjarje po marrin pjesë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier dhe presidentja e vendit Vjosa Osmani.

Kjo ceremoni është duke u zhvilluar në Klan Arena në Prishtinë.

Drejtoresha e Korpusit të Paqës Dr. Carolyne Siganda, i ka falënderuar vullnetaret e rinj që kanë vendosur t’i bashkohen këtij rrugëtimi.

Ndërsa ambasadori Hovenier në fjalën e tij i ka përgëzuar vullnetarët e rinj duke thënë se kontributi i tyre për paqe dhe miqësi do të çmohet dhe do të ketë ndikim pozitiv.

“Ne jemi mbledhur këtu për një ngjarje historike. Sot do të shohim betimin e vullnetarëve të rinj. Në emër të ShBA-së, dua të falënderoj njerëzit dhe Qeverinë e Kosovës. I falënderoj familjet mirëpritëse që u kanë hapur dyert vullnetarëve për 10 javë. Dua t’i përgëzoj të gjithë ata që patën vullnetin të mësojnë gjuhë të reja. Aftësia për të komunikuar është pjesë e rëndësishme e asaj që ju bëni në baza ditore”, ka thënë ambasadori.

“E kuptoj që ju keni aplikuar për këtë ditë dy vjet më parë. Korpusi i Paqes është krijuar për të promovuar paqe dhe miqësi nëpër botë. Çdo amerikan që kontribuon në Korpusin e Paqes e di se është duke punuar në këtë mision të rëndësishëm për të promovuar paqen dhe miqësinë nëpër botë”, ka shtuar ai.

“Kontributi juaj çmohet dhe do të ndikojë pozitivisht. Dua të ju inkurajoj të qëndroni kureshtar. Dua që ju ta dini se kam besim të plotë në ju dhe se ju do të keni ndikim pozitiv në komunitetin në Kosovë”, ka thënë në fund ambasadori Hovenier.

Presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se ceremonitë si kjo nuk janë veç një mbledhje, por një mundësi për të festuar marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ceremonitë si kjo nuk janë veç për mbledhje, por një mundësi për të festuar marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së. Tani ju jeni pjesë e komunitetit në jetët tona të përditshme. Ndikimi i shërbimit tuaj do të vërehet në buzëqeshjen e fëmijëve që ju mësoni. Lidhja ynë me ShBA-të shkon përtej diplomacisë”, ka thënë presidentja Osmani.

Në fund ajo i ka falënderuar vullnetarët si dhe familjet që u kanë hapur dyert këtyre vullnetarëve gjatë trajnimit 10-javor në Kosovë.

Exit mobile version