Erden Atiq të premten pritet të japë betimin si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut. Të njëjtën procedurë duhet ta kryejnë edhe kryetarët e tre komunave tjera në Veri. Për këtë afat kanë deri më 28 maj. Mirëpo, procedura e betimit po shihet si mundësi për përshkallëzim të situatës. Sipas ekspertit të sigurisë, Bedri Elezi, me rastin e betimit të kryetarëve të rinj “pritet situatë e tensionuar”. Ndërsa ambasadori i SHBA-së ka thënë që kryetarët e rinj të kenë “rol teknik dhe jo politik”, derisa kërkoi nga ta që të hyjnë vetëm në ndërtesa ku mirëpriten.
Që nga vendimi i Listës Serbe për mospjesëmarrje, procesi zgjedhor në Veri është parë me skepticizëm. Kjo për shkak që qytetarët serbë, që janë shumicë në atë pjesë, ndikohen nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar. Kjo bëri që dalja në zgjedhje të jetë tejet e ulët.
Pavarësisht kësaj, rezultatet u certifikuan më 28 prill nga KQZ, duke u vendosur kështu 28 maji si afati i fundit për të dhënë betimin. Nëse deri në këtë datë kryetarët e rinj nuk betohen, e humbin mandatin.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, në një bisedë me Gazetën Express ka folur për gjendjen në Veri. Ai tha se është problem zbatimi i vendimeve që kanë dalë nga zgjedhjet e 23 prillit. Sipas tij, kur të bëhet betimi i kryetarëve pritet të ketë “kundërpërgjigje”.
“Edhe në të kaluarën kemi paralajmëruar që çështja e organizimit të zgjedhjeve në Veri është një problem serioz, se pavarësisht faktit se do të kemi zgjedhje të cilat do të jenë të organizuara në mënyrë ligjore, do të kemi problem zbatimin e vendimeve që dalin nga këto zgjedhjeve. Ky është një problem serioz, që siç duket ka me na përcjell në vazhdimësi, sepse tani kur do të ketë një tentim nga institucionet e Republikës së Kosovës për të vendosur kryetarët në zyrat e tyre, pritet që të kemi kundërpërgjigje”, tha ai.
Elezi tha se pret situatë të tensionuar, duke mos e përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të situatës kur kryetarët të tentojnë të shkojnë në objektet komunale.
“Neve presim një situatë të tensionuar, ndoshta edhe përshkallëzim të situatës në momentin kur kryetarët e rinj do të tentojnë të shkojnë në zyrat e tyre për të kryer detyrat dhe përgjegjësitë që kanë dalë nga rezultatet e votës së lirë të qytetarëve që marrë pjesë në zgjedhje”, ka deklaruar ai.
Elezi ka treguar edhe se çka duhet të bëjë Policia e Kosovës për ditët kur të betohen kryetarët e rinj.
“Policia e Kosovës duhet fillimisht ta bëjë një vlerësim të gjendjes së sigurisë, problemeve që mund të shfaqen si rezultat i aktiviteteve të rrezikshme që mund të organizohen grupet apo struktura të caktuara në atë zonë dhe poashtu të bëj një kërkesë specifike për institucionet tjera që në këtë rast është KFOR-i dhe EULEX-i. Dhe pastaj ata do t’i analizojnë këto kërkesa referuar nevojave për ruajtjen e qetësisë nën arsyen që ekziston rreziku që Kosovës t’i cenohet siguria nga aktivitetet e Serbisë”, tha ai për Express.
Hovenier kërkon kryetarë me “rol teknik”
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se zgjedhjet që u mbajtën më 23 prill në katër komunat veriore ishin “konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”, mirëpo shtoi se kryetarët e rinj të komunave në Veri duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur.
“Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur”, tha ai në një intervistë për Telegrafin.
Ambasadori amerikan deklaroi se pret nga kryetarët e rinj që të marrin rol teknik dhe jo politik.
“Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik’, ka thënë ambasadori.
Hovenier tha se çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre, do të përballet me dënim të ashpër nga SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar.
“Çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar.”
“Shqetësimi” i Lajçakut
Gjatë javës që lamë pas, emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qenë në Kosovë e më pas në Serbi. Gjatë vizitës në Veri, ai tha se ka dëgjuar disa gjëra për të cilat u shqetësua.
Ndër të tjerash, ai deklaroi se ka ritheksuar nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi duke kërkuar përqendrim të plotë në normalizim.
“Më pas vazhdova vizitën në veri të Kosovës për t’u takuar me bashkëbisedues të ndryshëm nga shoqëria civile dhe partitë politike dhe për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit. Fatkeqësisht, ajo që dëgjova më shqetësoi. Prandaj, ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, ka thënë emisari i BE-së.
“Kosova do të dërgojë informata në BE për situatën në Veri”
Të hënën pas takimit me Petkoviqin, Bislimi tha se e ka informuar Lajçakun për problemet që janë hasur “në mënyrë unilaterale” nëpër disa ndërtesa në veri. Për këtë Bislimi tha se do të dërgojnë informata nga Kosova, të cilat sipas tij është dashur të dërgohen nga EULEX-i.
“Ne kemi informuar z. Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan e për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajcak”, tha Bislimi.
Bislimi shprehu frikën se mesazhi që po dërgohet është i kundërt më atë që dëshirohet. Sipas tij kur thonë që inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë si ftesë për tensione.
“Unë kam frikë se mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet. Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë”, u shpreh Bislimi pas takimit me Petkoviqin.
KFOR dhe Policia e Kosovës pa përgjigje
Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës për të kuptuar nëse kanë bërë ndonjë plan operativ për ditët kur pritet të bëhet betimi i kryetarëve të rinj.
Prej dje, asnjëra palë nuk kanë kthyer përgjigje.
Express ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal rreth datave se kur do të betohen kryetarët e Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit. As MAPL s’ka kthyer përgjigje.