Site icon PrishtinaPress

Besnik Pula zgjidhet kryetar i grupit punues për formimin e Fondit Sovran

Qeveria e Kosovës njofton se ka mbajtur mbledhjen e parë të grupit punues për formimin e Fondit Sovran.

Sipas njoftimit, në krye të grupit të Fondit është zgjedhur Besnik Pula, profesor në Universitetin Virginia Tech, i cili njëkohësisht është këshilltar i kryeministrit Albin Kurti për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare.

Po ashtu në këtë mbledhje është miratuar grupi punues i përbërë nga Arta Hoxha, anëtare e Bordit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore; Edison Jakurti, ekspert i çështjeve të ekonomisë së brendshme; Emanuel Bajra, ekspert i industrisë ndërkombëtare financiare dhe Tea Blakaj – Hoxha, këshilltare ligjore e kryeministrit.

Kryeministri Kurti ka thënë se themelimi i Fondit Sovran do të japë një shpresë të re për zhvillim ekonomik në Kosovë.

“Sot jemi këtu për të treguar se ka alternativë ndaj rrugës së ndjekur deri më tani. Një ndër to është, ajo që ne besojmë, shteti zhvillimor. Shteti i cili në ekonomi nuk është as regjisor e as spektator por bashkë-skenarist dhe aktor. Në funksion të konkretizimit të shtetit zhvillimor e kemi menduar, premtuar dhe tani do ta realizojmë njërin ndër institucionet e tij – Fondin Sovran të Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Exit mobile version