Site icon PrishtinaPress

Besnik Bislimi acarohet kur në Komision i përmendet çuarja e Ligjit për KPM-në në Kushtetuese

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është acaruar gjatë raportimit në Komisionin për Administratë Publike e Kosovës pasi nga deputetët e opozitës i është përmendur çuarja e Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media në Gjykatë Kushtetuese, pas shqetësimeve të ngritura nga organizatat e mediave, përkatësisht AGK, KMSHK dhe nga shoqëria civile.

Bislimi ka thënë se subjektet politike në zgjedhje garojnë me platformë dhe program, të cilin synojnë pastaj ta implementojnë nëse fitojnë. Sipas Bislimit, t’i besohet një ligji vetëm kur atë e verifikon Gjykata Kushtetuese i bie të pretendosh se qeveria e vërtetë është Kushtetuesja dhe jo Qeveria.

Madje Bislimi e ka banalizuar diskutimin teksa ka provuar të shpjegoj se si Qeveria dhe Kushtetuesja kanë role të ndara, duke iu thënë deputetëve të opozitës se me këtë formë veprimi do të përfundojnë duke thënë se “nesër vij në orën 8 se Gjykata Kushtetuese thotë”

“Në zgjedhjet subjektet garojnë me platformë dhe program dhe pasi ti fitojnë zgjedhjet, partia përmes qeverisë mundohet me i shty ato.Me thanë që për mua Ligji është ligj vetëm kur të thotë Gjykata Kushtetuese, është me pretendua që qeveria e vërtetë është Kushtetuesja e jo Qeveria.Janë role të ndara. S’është qeveri paralele. Nesër keni me përfunduar tu thanë nesër vij në orën 8 se gjykata Kushtetuese thotë.Nuk bën me vesh Kushtetuesen me kompetenca të cilat nuk i takojnë. Sot kushtetuesja po e vendos edhe sa duhet me qenë koeficienti. Nesër thotë jo edhe buxheti duhet me kanë kaq. S’mundet Kushtetuesja me vendos sa është paga e zv.kryeministrit.”, ka thënë Bislimi.

Bislimit duke mos i pëlqyer përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në vendimet apo Ligjet që bën qeveria, ka thënë se për ta bërë një gjë të tillë duhet të dilet e të kërkohet votë tek qytetari si gjykatë kushtetuese e pastaj të thuhet unë mund të vendosi për pagën e deputetit apo se sa anëtarë duhet t’i ketë KPM-ja

“Duhet me u bo qeveri njëherë, me dalë me kërku vota nihere si gjykatë kushtetuese, tani me thanë unë e vendosi pagën e deputeti, e unë vendosi a ka me i pas KPM 7 apo 11 anëtarë. Qeveria vendos. Kuvendi e voton ose e ndryshon përmes procedurave interne”, ka thënë Bislimi.

Exit mobile version