Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se është takuar me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.
Ajo tha se në takim foli për planin për të ndihmuar reformat në Serbi, rritjet e investimeve të BE-së, si dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, raporton Express.
“Takim i mirë me kryeministren Ana Bërnabiq. Komisioni Europian mbështet punën e Serbisë drejt anëtarësimit. Plani ynë i Ri i Rritjes do të ndihmojë në përshpejtimin e reformave, rritjen e investimeve të BE-së, për t’ju afruar me Tregun e Përbashkët. Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”.
Bërnabiq sot është takuar edhe me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.
Michel në një shkrim në Twitter, tha se në këtë takim u diskutua për nevojën e deeskalimit të situatës në veri.
“Me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq: mesazh i qartë i Këshillit Evropian për nevojën për deeskalim të menjëhershëm të situatës në veri dhe vazhdim të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Vendimtare që Serbia t’i vazhdojë reformat për të avancuar në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar ai.