Ushtria gjermane po përgatitet për tërheqjen e trupave të saj dhe pajisjeve ushtarake nga baza ajrore Inçirlik në jug-lindje të Turqisë, raportoi sot gazeta “Der Spiegel”.
Gjermania ka dërguar 250 ushtarë, avionë Tornado dhe aeroplanë cisternë në këtë bazë, vitin e kaluar, në mbështetje të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kundër grupit ekstremist ISIS, por një prishje diplomatike mes Berlinit dhe Ankarasë ka bërë që Turqia të bllokojë vizitat e ligjvënësve gjermanë në bazë.
Si rezultat, Bundeswehri po merr në konsideratë Jordaninë dhe Qipron si baza alternative për trupat e saj, shkruan “Der Spiegel” duke cituar burime të ushtrisë. Ky veprim do të detyrojë misionin e Bundeswehr-it në Irak dhe Siri që të ndërpritet për një periudhë prej dy muajsh.