Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, mbajti këtë të mërkurë një deklaratë për media ku mohoi se do të njohë rezultatin e zgjedhjeve. Berisha tha se procesi ishte i inkriminuar pasi votat u blenë me shuma që variojnë nga 300 deri në 500 euro.
Berisha theksoi se tregues i blerjes së zgjedhjeve është rënia në nivele rekorde e euros gjatë fushatës elektorale dhe rritja e menjëhershme e saj pas zgjedhjeve.
Sipas tij, ky fenomen ndodh vetëm kur futen sasi të mëdha parash në qindra milionë euro në ekonomi.
“Për blerjen e votës, mbi 20 mijë qytetarë u shtuan në listën e ndihmës ekonomike në mbarë vendin dhe mbi 10 mijë të tjerë u paguan si punonjës të përkohshëm pa kontratë. Vetëm në Peshkopi u disbursuan 400 milionë lekë për individë me aftësi ndryshe. Fondi i ndihmës ekonomike dhe pagesat për aftësi ndryshe u rritën në këtë fushatë me 900 milionë lekë në krahasim me vitin e kaluar. Nga të gjitha këto shuma të marra së bashku, rezultuan se përfituan rreth 850 mijë qytetarë me të drejtë vote, me qëllimin e vetëm të blerjes së votës. Përveç këtyre fondeve, u përdorën edhe forma të tjera antiligjore si subvencione, prokurime, tendera për të blerë votën e shqiptarëve. Të gjitha këto në kundërshtim me Kartën e Kopenhagenit, Kodin Zgjedhor, e të tjera”, tha ai.
Sipas Berishws, me qëllim të blerjes së votës, kryetari në ikje i Vaut të Dejës, subvencionoi 400 milionë lekë për një kompani, akt që e ka tagër vetëm Këshilli i Ministrave dhe bazuar vetëm në ligjin e ndihmës shtetërore, njofton Euronews.al.
Përveç këtyre, mbi 4 miliardë lekë u tenderuan për ndërtimin e banesave nga tërmeti, tha ai.
“Këto zgjedhje janë të blera sepse narkoeurot u bënë diktuesit kryesorë të rezultatit”, tha Berisha.