Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka reaguar pas kryeministri i vendit, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar drejtësi për rastin e Astrit Deharit.
Kurti në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, ka thënë se Dehari është “viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur”.
Por sipas Berishës, vetë LVV-ja i ka vrarë apo i ka shtyrë në vetëvrasje dy aktivistët e saj Arbnor dhe Astrit Dehari.
Tutje, Berisha ka deklaruar se në rastin e parë të ardhjes së PDK-së në pushtet, LVV-ja do të hetohet për zhdukjen e mostrave të Deharit dhe për shumë vepra të tjera.
“Po ju them këtu, meqë sot, kuvendin e Republikës së Kosovës (Tempullin e fjalës së lirë) e ka okupuar egërsia, ku më as autoriteti i Kryetarit nuk arrinë të krijojë mundësinë e reagimit konstruktiv, se në rastin e parë të ardhjes së PDK në pushtet, do të hetoheni për këto “mostra” dhe të gjitha veprat tjera që po i konsumoni për ditë, edhe s’do të keni qare pa i gjetë, edhe nëse i keni futur atje në shpellat e Karpateve prej nga e keni origjinën ideologjike”, ka përfunduar ai.